Avokati dhe aktivisti Adriatik Lapaj ka reaguar në rrjetet sociale për ngjarjen e rëndë, ku punonjësi i policisë Azbi Spahiu u hodh nga lartësia në rrethana ende të paqarta.
Në një status në Facebook, Lapaj i është drejtuar Policisë së Shtetit duke kërkuar një sqarim të plotë për rrethanat e kësaj ngjarjeje, por nuk ka përmendur aspak oligarkun Samir Mane, për të cilin media të ndryshme kanë raportuar se ngjarja lidhet indirekt me djalin e tij.
Në statusin e tij, Lapaj vë theksin tek rëndësia e mbështetjes për punonjësit e ndershëm të policisë, duke e cilësuar Azbi Spahiu si një person korrekt dhe shembull për uniformën e Policisë së Shtetit. Ai i kërkon institucionit të policisë të raportojë çdo formë presioni apo ndikimi ndaj punonjësve të saj.
Statusi i plotë i Adriatik Lapaj:
_“Në media lexova për ngjarjen e rëndë, ku një polic i qarkullimit rrugor u hodh nga lartësia.
Në fillim u duk si lajm klikimesh, por nisur nga fakti që gazetarja Klodiana Lala konfirmoi se polici, A.S., ka qenë në grupin e personave që kanë ndaluar djalin e biznesmenit, pasi ky i fundit ka përplasur disa mjete dhe ka kundërshtuar kryerjen e testit të alkoolit, lind dyshimi i arsyeshëm për çdo qytetar. Më pas polici është thirrur nga AMP dhe, sipas gazetares, i është kërkuar llogari për veprimet që ka kryer.
Sa më sipër, Policia e Shtetit duhet të sqarojë qartë opinionin publik për ngjarjen në fjalë.
Unë e kam njohur personalisht atë punonjës policie. E kam njohur nga puna si avokat. Është absolutisht një prej njerëzve më korrekt dhe që e nderon më shumë uniformën e Policisë së Shtetit.
Në këto kushte kërkojmë nga Policia e Shtetit të paraqesë një raport të plotë mbi ngjarjen. A ka lidhje mes faktit të raportuar nga gazetarja Lala dhe ngjarjes ku u plagos punonjësi i policisë?
Policia e Shtetit e ka detyrë të raportojë qartë ngjarjen dhe të bëjë transparente çdo formë presioni dhe ndikimi ndaj punës së punonjësve të Policisë së Shtetit, apo jetës së tyre.
Ne mbështesim fort çdo punonjës policie dhe i inkurajojmë t’i trajtojnë sipas ligjit të gjithë shtetasit, pavarësisht statusit të tyre.”