Kreu i PD-së Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët kërkoi nga KQZ që të shtojë operatorët që trajton të dhënat e të regjistruarve për votën e diasporës.
Sipas tij, shtimi i operatorëve në procedimin e të dhënave është një nga problemet serioze.
Një tjetër shqetësim që ngriti Berisha është edhe fakti që sipas tij, PS nuk po pranon dokumentet biometrike të identifikimit të vendeve të BE. Sipas tij kjo është absurde.
“KQZ është zotuar që ky shtim do të ndodhë menjëherë, por ke parasysh një gjë, që KQZ komandohet, në një mënyrë ose në një tjetër nga PS, e cila bën gjithçka për ta vonuar këtë proces. Shtimi i operatorëve në procedimin e të dhënave është një nga problemet serioze.
Së dyti, ka probleme me identifikimin e kartave, por këto janë të kompanisë së kontraktuar. Auditët tanë po merren edhe me këtë çështje. Çështje themelore që mbetet këtu është kjo, pranimi i dokumenteve biometrike të vendeve të tjera. Ka një hezitim nga socialistët, sepse për arsye absurde, dokumentet biometrike të vendeve anëtare të BE, tani është koha e biometrisë, nuk mund të vihen në diskutim në mënyrë absolute nga autoritetet shqiptare.
Ato kanë certifikim ndërkombëtar. Se në qoftë se ecim me këtë logjikë, se do votojnë vetëm ata që disponojnë biometri shqiptare, kështu mund të përjashtosh dy të tretat e emigracionit dhe diasporës nga votimi. Por negociatat po vazhdojnë”, tha Berisha.
I pyetur se kur të do të fillojnë primaret për të përzgjedhur kandidatët për deputetë, Sali Berisha u shpreh se PD e ka në statut primaret dhe shumë shpejt do të hapet gara.
“Ka një statut PD që është mbi mua. Ai statut miratuar me unanimitet. Nuk jam unë statuti, unë jam njeriu që zbatoj statutin. Mendimet e ndryshme janë të pranueshme, por statuti do të zbatohet. Siç e shihni ka një përqendrim shumë të madh për votën e diasporës dhe faktikisht ne e kemi decentralizuar. Pra janë shumë drejtues tonë, lokalë dhe qendror që ndodhen sa në Shqipëri dhe në vende të tjera në kontakt që të mund të realizojmë regjistrimin sa më të madh të votuesve tanë jashtë vendit. Shumë shpejt do të hapet dhe gara për deputetë dhe për gjithë procesin”, u shpreh kreu i PD.