Gjatë një bisede në podcastin me Arlind Qorin, gazetari Andi Bushati ndau një histori interesante nga koha kur punonte në gazetën “Koha Jonë”. Ai përmendi suplementin e njohur të fundjavës, AKS, i cili drejtohej nga shkrimtari i ndjerë Teodor Keko dhe gazetari Andi Bejtja.

Sipas Bushatit, në një rast, në redaksi erdhi Edi Rama, i cili në atë kohë ishte një artist dhe figurë e njohur që sapo ishte kthyer nga Parisi. Rama i gjeti Kekon dhe Bejtjan në një lokal pranë redaksisë duke shijuar ndonjë gotë dhe u drejtua atyre me një propozim: “Ju jeni provinciale, më lini mua që vij nga Parisi ta bëj suplementin AKS këtë herë.”

Bushati tregoi se Keko dhe Bejtja, të ndikuar nga atmosfera e lokalit dhe gotat që kishin përpara, i dhanë Ramës mundësinë ta realizonte numrin e radhës të suplementit. Por të nesërmen, kur u pa rezultati, ndodhi diçka që askush nuk e priste: Edi Rama kishte vendosur një portret të madh të tijin në gjithë faqen e parë të suplementit AKS.

“Kur panë suplementin, Keko dhe Bejtja thuajse shkulën flokët nga nervat,” rrëfeu Bushati, duke theksuar mënyrën e veçantë dhe egocentrike me të cilën Rama kishte realizuar idenë e tij./gazetajonë