IMG_9383

Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur mbrëmjen e djeshme fshatin Gruemirë në Malësinë e Madhe. Tre anëtarë të familjes Kurtaj nga fshati Linaj ishin pjesë e një skene terrorizuese me breshëri të shtënash. Sipas raportimeve të News24 Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj të cilët po lëviznin në të njëjtin automjet janë qëlluar me armë nga dy persona të paidentifikuar që po lëviznin me motor.

Në dëshminë e tyre në komisariat të sipërpërmendurit kanë treguar se ngjarja e ka zanafillën në orët e para të mëngjesit të 1 shkurtit. Sipas tyre dy persona të maskuar me motor kanë qëlluar me armë zjarri kamerat e sigurisë në banesën e familjes Kurtaj, të cilët i kishin vendosur sepse përballë shtëpisë kanë disa kafshë që i mbajnë. Pas këtyre të shtënave ata janë larguar për tu rikthyer sërish pas disa orësh.  Në momentin e kthimit tre anëtarët e familjes Kurtaj, kanë provuar t’i ndalin për t’i pyetur se përse qëlluan kamerat e sigurisë, por dyshja që ishin duke lëvizur me motor kanë vazhduar rrugën.

Tre personat e familjes Kurtaj i janë vënë mbrapa me një automjet dhe dy shtetasit që po ecnin me motor kanë nisur të qëllojnë me automatik kallashnikov kësaj here. Për rreth 10 minuta dy autorët kanë qëlluar në tokë dhjetëra plumba me qëllimin për të ndalur ndjekjen ndaj tyre, dhe jo në drejtim të automjetit

Personi që ndodhej në pjesën mbrapa në motor gjatë largimit është rrëzuar në tokë dhe është futur në një arë duke vijuar të qëllojë edhe nga aty. Ndërkohë personi tjetër ka vijuar rrugën duke qëlluar edhe ai derisa ka arritur të largohet në drejtim të paditur. Në deklaratën e tyre në policinë e Malësi e Madhe, Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj janë shprehur se nuk e dinë se kush mund të jenë këta persona. Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje dhe identifikimin e kapjen e autorëve që qëlluan me armë zjarri.