Autoritetet shëndetësore në Itali kanë konfirmuar sot një rast të kolerës në qytetin e Brescias. Sipas Institutit të Lartë të Shëndetësisë, pacienti 50-vjeçar ka rezultuar pozitiv ndaj bakterit Vibrio Cholerae (sierogrupi O1, serotipi Ogawa), i cili prodhon enterotoksinën përgjegjëse për sëmundjen, raporton Gazeta Jonë.
Megjithatë, Regjioni i Lombardisë dhe Agjencia për Mbrojtjen e Shëndetit (ATS) e Brescias kanë deklaruar se situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe për momentin nuk ka rrezik për shëndetin publik.
Origjina e infeksionit dhe gjendja e pacientit
Bazuar në hetimet e deritanishme, rasti nuk është autochton. Pacienti ishte kthyer më 29 janar nga një udhëtim në Nigeri, vend ku së fundmi është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve fatale nga kolera. Ai ka shfaqur simptoma të forta gastrointestinale vetëm disa orë pas kthimit dhe është shtruar menjëherë në terapi intensive, ku ndodhet ende.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëqenies së Lombardisë, gjendja e pacientit po tregon shenja të lehta përmirësimi. Ai është vigjilent dhe po bashkëpunon me autoritetet shëndetësore. Ndërkohë, të gjithë kontaktet e tij janë identifikuar dhe po mbahen nën vëzhgim, edhe pse nuk shfaqin simptoma. Për ta janë planifikuar teste laboratorike dhe mbikëqyrja shëndetësore do të vazhdojë.
Çfarë është kolera dhe si transmetohet?
Kolera është një infeksion akut që shkakton diarre të rëndë dhe dehidrim të rrezikshëm. Transmetimi ndodh përmes kontaktit me ujë ose ushqim të kontaminuar, veçanërisht me produkte të detit të pagatuara mirë. Higjiena e dobët dhe kushtet e këqija sanitare janë faktorët kryesorë të përhapjes së sëmundjes.
Periudha e inkubacionit varion nga 2 orë deri në 5 ditë, në varësi të sasisë së baktereve të gëlltitura. Në 75% të rasteve, të infektuarit nuk shfaqin simptoma, ndërsa vetëm një përqindje e vogël zhvillon formën e rëndë të sëmundjes. Me trajtimin e duhur të rehidratimit, vetëm 1% e pacientëve rrezikon vdekjen.
Për momentin, autoritetet italiane vazhdojnë monitorimin e situatës dhe nuk raportojnë rrezik të përhapjes së mëtejshme të infeksionit. /gazetajonë