Banka e Shqipërisë ndërhyri forcërisht në tregun e brendshëm valutor duke blerë dëngje të mëdha eurosh vitin e kaluar për të mos lejuar forcimin e pandalshëm të lekut ndaj monedhës europiane.
Kapitali ka mësuar se përmes ankandeve të lajmëruara dhe atyre jashtë radhe, Banka Qendrore ka blerë rreth 950 milionë euro nga 1 janari deri në 31 dhjetor të vitit 2024.
Nga këto vetëm 300 milionë euro ishin ankande të planifikuara për rritjen e rezervës valutore të vendit, ndërsa 650 milionë euro të tjera u blenë më ankande të jashtëzakonshme me qëllimin e vetëm për të hequr eurot nga tregu në përpjekje për të stabilizuar kursin e këmbimit.
Blerjet agesive të valutës kanë kulmuar veçanërisht në tremujorin e katërt të vitit. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të tremujorit të tretë, Banka e Shqipërisë bleu 542.3 milionë euro. Ndërsa në tremujorin e katërt të vitit, për të cilin të dhënat nuk janë bërë ende publike zyrtarisht, BSH ka blerë plot 400 milionë euro për të ndalur zhvlerësimin e monedhës europiane ndaj lekut duke e çuar shifrën totale të blerjeve për vitin 2024 në rreth 950 milionë euro, një shifër që është gati sa 5 për qind e PBB-së së vitit 2023.
Ky është një rekord absolut historik. Kurrë më parë Banka e Shqipërisë nuk ka blerë kaq shumë valutë në tregun e brendshëm. Të dhënat zyrtare tregojnë se për gjithë vitin 2023, Banka e Shqipërisë bleu në total 265.8 milionë euro, ose gati 4 herë më pak, ndërsa për vitin 2022 shuma e eurove të blera ishte vetëm 142.2 milionë euro.
Megjithatë pavarësisht ndërhyrjeve agresive nga Banka Qendrore kursi i këmbimit ka vazhduar të forcohet, ndonëse me ritme më të moderuara. Statistikat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në harkun kohor dhjetor 2023-dhjetor 2024, leku u forcua me më shumë se 4.3 për qind ndaj euros duke u këmbyer në muajin e fundit të vitit të kaluar mesatarisht me 98.3 euro nga 102.78 që këmbehej në dhjetor 2023.
Forcimi i pandalshëm i lekut ndaj euros u shndërrua në një çështje kryesore në debatin ekonomik të vendit. Bizneset, kryesisht ato të eksportit të mallrave dhe shërbimeve, i kanë bërë thirrje vazhdimisht Bankës së Shqipërisë që të ndërhyjë për të ndalur këtë trend që sipas tyre ka çuar në faliment mijëra biznese prodhuese në vend. Ndërsa opozita e ka cilësuar forcimin e lekut pasojë të narkoeurove, valutës që hyn në vend nga aktivitetet kriminale si trafiku i drogës./kapitali.al