kurum mbetjet toksike

Prej disa muajsh kontejnerët me mbetje të kompanisë “Kurum” janë magazinuar në Spitallë pasi u kthyen nga Tajlanda me dyshimin se janë mbetje të rrezikshme.

Gazetaret Ola Xama dhe Klodiana Lala deklaruan në emisionin ”Të Paekspozuarit” në MCN TV se hetimet po zvarriten qëllimisht nga qeveria.

Ola Xama: Nëse do ta vrasësh një çështje, zvarrite. Disa heshtin, disa blihen, kështu do të shkojnë edhe hetimet. Me sa kemi parë, pjesa kryesore që fakton nëse kemi trafik të mbetjeve të rrezikshme është marrja e mostrave. Kontejnerët erdhën, prokuroria duhet të kryejë veprimin, të kuptojë nëse janë mbetje të rrezikshme. Ende ka zvarritje, nuk gjejmë laboratorin, e me rradhë.

Klodiana Lala: Qeveria po ushtron të gjithë ndikim e vet që kjo çështje të mos hetohet dhe po bën përpjekje për ta zvarritur. Prokuroria ka bërë shkresa dhe kërkon ekspertë për mostrat. Kanë kaluar dy muaj dhe nuk ka përgjigje se kush është eksperti që do marrë mostrat. Nëse nuk ka laborator duhet të shkojnë jashtë vendit. Kompania transportuese thotë më ktheni kontejnerët se duhet të vazhdoj aktivitetin.  Kush fiton këtu? Kurum, që vijon aktivitetin. Së dyti, kompania eksportuese që vijon aktivitetin. Po ështu parashkruhen veprat penale për të gjithë zyrtarët e përfshirë./tpz