
Screenshot
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është arrestuar nga SPAK me akuza të rënda për korrupsion.
Mes të tjerash akuzohet se ka përfituar një vilë në Qerret nga një biznesmen në këmbim të lejeve të ndërtimit. Kryeministri Edi Rama tha dje se vilën e ka pasur i ati i Ajola Xoxës, por SPAK ka zbuluar detaje dhe të dhëna të tjera. SPAK thotë se brenda vilës është zbuluar një bllok të cilin e mbante Valbona Xoxa, nëna e Ajolës ku i raportonte për pagesat që kishte bërë.
Pagesat e bëra nga Veliaj për administrimin
Gjatë marrjes në pyetje të administratorit të resortit, Maksim Greva, ky ka konfirmuar për prokurorët e SPAK se në disa raste ka qenë vetë Erjon Veliaj që bënte pagesat e vilës në lidhje me shërbimet e kompanisë “S&D Invest” (faqe 52 e dosjes)
Përveç kësaj, gjatë kontrollit në ambjentet e vilës janë gjetur shënime të Valbona Xoxës, nënës së Ajola Xoxë, e cila raporton tek e bija me saktësi për pagesat që kryen për administrimin e vilës.
Shënimet e gjetura në shtëpi, gjatë kontrollit të BKH, janë shkruar në një mënyrë që sipas prokurorëve të çojnë të mendosh se është Ajola Xoxa ajo që ka përgjegjësinë e vërtetë për pagesat e administrimit. (Faximile më poshtë nga faqe 53 e dosjes)
Bisedat e Ajolës me miqtë për vilën në plazh
Përveç kësaj, SPAK ka regjistruar në dosje edhe mesazhet e komunikimit mes Ajola Xoxës dhe miqve të saj. Në një komunikim me Driant Zenelin, i cili i dërgon foto nga Qerreti, Ajola Xoxa i përgjigjet: “Ajo aty në fund është shtëpia jonë!”. (faqe 53 e dosjes)
Zeneli ka treguar para prokurorëve se kishte marrë ftesa nga Ajola Xoxa për të shkuar në shtëpinë e plazhit në Qerret bashkë me djalin e tij, nëse dëshironte të pushonte aty.
Nga dëshmia e shoferit Armand Manahasa, është zbuluar se Ajola Xoxa u mor personalisht me arredimin e vilës duke angazhuar arkitektin Olsi Efthimi për punimet.
Një tjetër dëshmi që përforcon bindjen e prokurorëve për pronësinë e vilës në Qerret është ajo e një nga punonjëset e kompanisë Partners Law, të Ajola Xoxës, e quajtur Anxhela Qunaj rezulton se “nga bisedat në ambjentet e punës ka kuptuar se Ajola ka një shtëpi plazhi” (dosja Veliaj. faqe 54)
Në dosje janë edhe qelizat e celularit të Erjon Veliajt, me anë të së cilave prokurorët vërtetojnë se kryebashkiaku i Tiranës i kalonte fundjavat në vilën e kompleksit Marea në Qerret. Përgjigjet që ka dhënë kompania One Albania dëshmojnë se Veliaj ka disa qindra vizita në Qerret gjatë viteve dhe kjo sipas tyre, tregon frekuentimin e shpeshtë të kryebashkiakut të Tiranës për shtëpinë që thotë se nuk është e tij.