-900-0-1740062346xhahahhahpng-874

Këtë të enjte është zhvilluar seanca e radhës ndaj Nuredin Dumanit, i pandehur i dosjes “Plumbi i Artë”. Seanca ka qenë e hapur edhe për mediat, ku avokatët i kanë drejtuar disa pyetje të tjera Dumanit, lidhur me qëndrimin e tij në Elbasan, njohjen me Talo Çelën dhe Gentian Sharrën, si dhe me disa nga ngjarjet kriminale të ndodhura në atë zonë.

Dumani ka treguar se bashkëpunëtorin e tij, Gentian Sharrën e ka njohur nga Talo Çela në vitin 2010 dhe grabitjen e parë së bashku e zhvilluan në një argjendari në Elbasan vetëm një vit më vonë në 2011. I pandehuri rrëfen se me Sharrën kanë bashkëpunuar për shumë gjëra, ku si fillim transportonim makinat e vjedhura dhe më pas organizonim grabitjet.

PJESË NGA MARRJA NË PYETJE:

Ku ke jetuar?

Nuredin Dumani: Jam shpërngulur nga Dibra drejt Rogoshinëz. Më pas kam shkuar në Durrës dhe në Elbasan. Në vitin 2020 kam marrë një apartament në Elbasan, përballë parkut.

Nga e njihni Gentian Sharrën?

Nuredin Dumani: E njoh nga Talo Çela në vitin 2010. Gentian Sharra kishte një lokal dhe servis në Bradashesh. Tek servisi kam qenë disa herë, si vetëm ashtu edhe me persona të tjerë. Me Gentian Sharrën kam bashkëpunuar për shumë gjëra. Në fillim transportonim makinat e vjedhura dhe më pas organizonim grabitjet. Kjo grabitje ishte ndër më të mëdhatë që kemi kryer. Objektivi ishte një argjendar në Elbasan, u planifikua nga Gentian Sharra, i cili donte të merrte pjesë pasi ishte një shumë e madhe. Ditën e grabitjes, unë dhe Ilirjan Keci shkuam të parët. E goditëm viktimën në një parkim të një lagjeje të vjetër, teksa po shkonte drejt makinës së tij, një ‘Benz’ i vjetër. Më pas, Talo Çela dhe Sharra erdhën për të ekzekutuar pjesën tjetër të planit.

Ku u diskutua plani për grabitjen?

Nuredin Dumani: Plani u bisedua në shtëpinë e Talo Çelës, e cila ndodhet pranë servisit të Gentian Sharrës. Shtëpia ishte dykatëshe me çati dhe në atë kohë nuk kishte portë, por vetëm rrjetë.

Si ishte viktima dhe si u krye grabitja?

Nuredin Dumani: Viktima ishte trupmbushur dhe më i gjatë se unë. Grabitja u krye në orën 07:00-08:00 të mëngjesit, gjatë një dite me shi. I morëm dy çanta, një blu e errët ose e zezë, nuk e mbaj mend saktë.

A e mësuat emrin e viktimës?

Nuredin Dumani: Nuk e kam fiksuar, pasi nuk më interesonte.

Çfarë kishte brenda çantave?

Nuredin Dumani: I morëm 2 çanta. Pasi e godita ra në tokë. Një çantë e mora unë, një Ilirjan Feçi. Emrin e viktimës s’e kam fiksuar. Nuk më ka interesuar. Në çantat kishte bizhuteri dhe ora. Markat nuk i mbaj mend. Në total 8 kg 300 gramë flori. Pas grabitjes, shkuam në shtëpinë e Talo Çelës dhe i zbrazëm sendet në papafingo. Hoqëm çantat për të shmangur ndonjë pajisje GPS.

Si u larguat nga vendngjarja?

Nuredin Dumani: Atë ditë kishim një ‘Benz 2500’ me ngjyrë blu të errët. Shkuam dhe u kthyem me të njëjtën makinë. Po ashtu, kishim dhe dy mjete të tjera, një ‘Rover 75’ dhe një tjetër ‘Benz 2500’.

Çfarë ndodhi me çantat e grabitura?

Nuredin Dumani: Çantat i hoqi Talo Çela, por nuk e di se ku i çoi.

Çfarë dini për viktimën?

Nuredin Dumani: Ai kishte një Mercedes 190. Ai po shkonte drejt asaj, por nuk di në ishte e tij.