Janë bërë publike të dhëna të tjera në lidhje me rastin e policit Azbi Spahiu, i cili dyshohet se u hodh nga një pallat në kushte të rënda psikologjike pas marrjes në pyetje nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Ngjarja ndodhi pas arrestimit të Martin Manes, djalit të biznesmenit Samir Mane.
Sipas policisë, Martin Mane ishte duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe shkaktoi një aksident pranë Parlamentit, duke përplasur disa automjete. Një efektiv i Policisë Rrugore e ndoqi dhe e shoqëroi në Komisariatin Nr. 1. Oficeri i Policisë Gjyqësore i gatshëm, Azbi Spahiu, zbatoi të gjitha procedurat e parashikuara, përfshirë arrestimin e personit dhe përgatitjen për daljen e tij në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë.
Sipas vna.al, pas shoqërimit, Martin Mane kërkoi ndihmë mjekësore duke pretenduar se nuk ndjehej mirë.
Ai u dërgua me ambulancë në spital, ku mjekët rekomanduan që të qëndronte aty deri në vendosjen e masës së sigurisë.
Megjithatë, të nesërmen, prokurori shpalli arrestin të paligjshëm dhe Mane u lirua!
Edhe pse kanë kaluar 24 orë nga ngjarja, Policia e Shtetit nuk ka reaguar ende për të sqaruar opinionin publik në lidhje me këtë çështje. /gazetajonë