Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta me tone të ashpra i është drejtuar me fjalë banale dhe ofenduese kreut të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Në sallën e gjyqit, Meta e ka fyer kreun e SPAK, duke iu rikthyer nofkave që i ka përdorur edhe kur ishte në liri, duke e thirrur: Dumduman, qen!

Por madje edhe e ka kërcënuar, ka kapur veshin duke i thënë: Këtu ta kam, mbaje mend çfarë kam për të të punuar! 

Megjithatë nuk është ndalur me kaq, në një moment ka kaluar edhe në fyerje personale dhe tejet vulgare. Por ndonëse Meta e ka fyer gjatë seancës, as Dumanim, as Arben Kraja dhe as Sotir Kllapi nuk kanë reaguar. Prokurorët kanë qendruar të qetë përballë fyerjeve dhe akuzave të ish-presidentit.

Më tej, Meta i ka akuzuar se arrestimi i tij ka qenë politik. “Më keni arrestuar me urdhër të narkoshtetit, merrni urdhër nga Rama, është shkelje e ligjit”, mësohet të ketë thënë Meta sipas raportimeve që gazetarët e kronikës kanë bërë nga zhvillimet në seancë.