Banorët e zonës ku janë depozituar 2100 ton mbetjeve toksike të KURUM do të dalin sot në protestë. Kjo pasi shprehen se ndjehen të rrezikuar nga vendosja e kontenjerëve me mbetjet pranë zonës së banuar dhe kullotave.
Banorët thanë dje se do të zhvillojnë një protestë paqësore para Bashkisë së Durrësit. Në tubim, ata do të kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për heqjen e mbetjeve dhe transparencë për llojin e tyre.
BANORËT E ZONËS:
“Më të shqetësuar se jemi nuk ka ku shkon më. Këto janë lëndë të rrezikshme. Media ka raportuar për to, jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë. Po shikoni, këtu ka lëndë të rrezikshme gjithandej. Të dielën do të bëjmë një protestë paqësore dhe, nëse nuk marrim përgjigje, protesta tjetër do të jetë para bashkisë se nën juridiksionin e saj jemi.”
“Na kompensuan këtu kur na u përmbyt toka tek liqeni i Fierzës, dhe kemi vite duke u përballur me mbeturina. Tani na kanë sjellë edhe helmet. Ne do të dalim të kërkojmë që ose të largohen mbetjet, ose të largohemi ne.”
Për të përkrahur banorët e zonës ishte edhe përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Jola Hysaj.
“Pas meje ndodhet venddepozitimi. Mbetjet janë shumë pranë banesave dhe tokave ku kullosin kafshët. Qytetarët kanë të drejtë të ndihen të shqetësuar. Edhe ne që jetojmë në qytet jemi. Nuk mund të lejojmë që në një qytet historik dhe turistik si Durrësi, ku rrezikshmëria e lëndëve është kaq e lartë, të vazhdojë kjo situatë,”- tha Jola Hysaj.
Venddepozitimi i sapokrijuar ku ndodhen rreth 2100 mbetje të metalurgjikut është nën administrimin e AAPSK dhe nën monitorim të plotë të kamerave dhe policisë.
Çdo procedurë regjistrohet në proces-verbal, konteinerët vetëm do të magazinohen, pra nuk do të hapen dhe nuk do të kryhet asnjë veprim tjetër deri në përfundim të hetimeve. Në fund, do kryhen paralelisht hetime dhe analiza, kjo për të verifikuar dhe rrezikshmërinë që këto mbetje mbartin për qytetarët dhe mjedisin.