![celibashi.jpg](https://gazetajone.com/wp-content/uploads/2025/02/celibashi.jpg.webp)
Editorial – Gazeta Jonë
Padija nuk është mëkat. Të mos dish të plotësosh një formular të KQZ për të votuar në zgjedhjet e 11 majit nuk të bën shqiptar më të keq se ata që marrin vesh shumë mirë nga këto punë.
Mirëpo, kjo nuk është kështu në sytë e Komisionerit të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, i cili prej më shumë se një jave po tallet në kuptimin e plotë të fjalës me shqiptarët emigrant që nuk e kanë kuptuar siç duhet plotësimin e formularit dhe specifikisht, pjesën ku kërkohet të vërtetosh vendbanimin.
Duke keqkuptuar formularin, disa prej emigrantëve kanë postuar foto të tyre me familjarë të tjerë dhe kjo shkarje është bërë shkak që Komisioneri Celibashi, ish-ministri që u detyrua të largohej pa bujë pas një aksidenti të bujshëm në 2013 në aksin Elbasan-Tiranë, t’u bëjë screenshot e t’i nxjerrë në faqen e FB dhe në portale duke i treguar si shembuj të këqinj, se si nuk duhej plotësuar formulari.
Më pak fjalë, bëhet një portretizim i tyre si “njerëz të trashë” dhe që nuk duhet vepruar si ata. (LINKU)
Kjo nuk është sjellje e një institucioni shtetëror!
Aq më pak një institucioni që menaxhon zgjedhjet.
Detyra e këtyre institucioneve është të sqarojnë qytetarët brenda hapësirave ligjore dhe jo duke u kthyer në faqe memesh duke i tallur ata publikisht.
Fshehja e syve nuk është argument, pasi secili prej nesh njihet në një rreth të caktuar njerëzish nga trupi, veshja, etj., dhe jo vetëm prej syve!
Prandaj është e udhës që Celibashi dhe kalamajtë e memeve që ka te zyra e medias t’i japë fund këtij palaçollëku me të dhënat personale të shqiptarëve! /gazetajone