19-vjeçari Xhuliano Këlliçi është i riu shqiptar i cili humbi jetën në aksidentin tragjik të regjistruar në Itali, ku vdiq së bashku me tre shokët e tij, Daniele De Re, Daniele Ortolan dhe Marco Da Re.
Mediat italiane raportojnë se katër të rinjtë, të cilët udhëtonin me një “Volkswagen Polo” po ktheheshin në shtëpi pas një mbrëmjeje me miqtë. Makina dyshohet se rrëshqiti gjatë marrjes së një kthese në të majtë, më pas u përplas me një rrap dhe është përmbys në një kanal.
Rruga e aksidentit sipas medias italiane është një rrugë rurale dhe një vendburim aksidentesh pasi në të ka precedentë të mëparshëm të përplasjeve me humbje jete.
Shqiptari Xhuliano Këlliçi ishte i apasionuar pas sportit dhe veçanërisht Kick-boksit. Mediat vendase shkruajnë se Xhuljano jetonte në Cordignano dhe ishte pjesë e një ekipi futbolli, në rolin e portierit.