Gjashtë qese me rreth 500 mijë euro janë sekuestruar ditën e sotme në një autobus në portin e Durrësit që drejtohej nga Elidon Çela.

Ai u arrestua menjëherë nga policia. shuma e konsiderueshme është zbuluar nga kontrolli në skaner.

Qeset me euro ishin fshehur në pjesën e tavanit të autobusit në pjesën e kondicionerit. Çela që është pronar dhe shofer i autobusit u shpreh se nuk ka dijeni.

“Janë porosi që na i kanë dhënë qytetarët. Nuk e di se cfarë kanë brenda qeset” ishin fjalët e para të tij pas arrestimit. Policia deklaroi se ishte duke hetuar rastin prej një muaji.

Njoftimi policia Durrës

Në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi një mujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës.

Si rezultat i informacioneve dhe konrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plastmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro.

Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.

Në përfundim të veprimeve do të japim informacion të plotë.