Mimoza Ahmeti, poetja, autorja e teksteve në këngë midis tyre edhe “Në mbretërinë e Xhuxhave”, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës u dënua nga gjykata për ndërtim të paligjshëm.
Pa marrë parasysh as profilin e saj dhe as faktin që banesa e poetes së mirënjohur ishte dëmtuar nga tërmeti, gjykata urdhëroi që Mimoza Ahmeti të kryejë punë me interes publik për 40 orë.
Poetja e njohur Mimoza Ahmeti u detyrua të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës për të dëgjuar edhe njëherë rezultatet e hetimit nga prokurori që e kishte përballë. Gruaja e vargjeve të njohura dhe e këngës kujtoi edhe njëherë se shtëpia që kishte në Petrelë iu dëmtua nga tërmeti dhe se në këto kushte ajo u duhet të ndërtonte një banesë të re.
Por pavarësisht provave, fjala e poetes nuk preku askënd, ashtu sikurse ndodhi më herët edhe me këngëtarin Bojken Lako, dënuar për ndërtim pa leje.
Në karrigen e të akuzuarit presin për t’u ulur për të njëjtën vepër penale 30 shtetas të tjerë, emrat e të cilëve u dorëzuan si të pandehur nga prokuroria më e madhe në vend, ajo e kryeqytetit. Po për vitin 2022, janë shpallur fajtorë në Tiranë për ndërtim të paligjshëm 15 shtetas, që të gjithë qytetarë të thjeshtë, poetë e këngëtarë. Por asnjëri nuk është ndërtues i njohur.