Tenderat vazhdojnë përditë të përdoren për të bërë qoka. Kjo është e “justifikueshme” për sa kohë po afrojnë zgjedhjet lokale. Por duket se Erion Veliaj kur vjen puna për para nuk pyet për njeri dhe bashkëpunon edhe me njërëz të lidhur me PD.
Në rastin konkret rezulton se i ka dhënë rreth 1.4 miliardë lekë vëllait të ish-kryetarit bashkiak të Vorës, Fiqiri Ismaili. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-50045-11-15-2022 dhe me objekt “Rikonstruksioni i rrugës Agallarëve”.
Fondi limit i kësaj procedure është 173,414,674 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.1 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Por le të shohim pjesëmarrësit. Duke hulumtuar dokumentacionin e tenderit shikohet se njëri nga pjesëmarrësit ka hyrë në garë duke ofruar zero lekë.
Kuptohet qartë se një skemë e tillë përdoret në rastet kur nevojiten pjesëmarrës sa për numër për të krijuar idenë se gjoja ka patur konkurrencë. Fituese është shpallur firma ALBA KONSTRUKSION në pronësi të shtetasit Xhavit Ismaili.
Ky i fundit siç e përmendëm dhe më sipër, është vëllai i ish-kryetarit demokrat të Vorës, Fiqir Ismaili. Por duke parë dokumentacionin, shikohet se një tjetër pjesëmarrës në tender ka ofruar gati 125 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak sesa Ismaili e megjithatë nuk është marrë në konsideratë nga Veliaj.
Me sa duket gjasat janë që fituesi ka qenë i paracaktuar duke faktuar edhe një herë bashkëpunimin e Veliajt me PD.