Gazeta Jonë mëson detaje të reja nga autori i krimit të rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e Shkozës në Tiranë. 43-vjeçari Roland Sinani disa vite më parë ka qenë pjesë e ushtrisë shqiptare, kohë në të cilën kanë nisur dhe problemet e para me depresionin.
Së fundi ai punonte në një gomisteri në zonën e Alidemit në Tiranë, ndërsa jetonte në një banesë me prindërit, vëllanë dhe nusen e tij, si dhe dy fëmijët e çiftit.
Migena, e cila u vra nga Rolandi në dhomën e gjumit, teksa flinte me fëmijën 2-vjeçar, ishte dhe ajo që kujdesej për të gjithë anëtarët e familjes, përfshirë dhe autorin e krimit makabër. Nuk dihet se sa të hershme kanë qenë konfliktet familjare që çuan në vrasjen e Migenës dhe vetëvrasjen e 43-vjeçarit.
Bashkëshorti i Migenës, Erjon Sinani mësohet se ka qenë në punë në momentin e vrasjes, pasi kishte një taksi, me të cilën shërbente gjatë turnit të tretë. Policia ka ndërtuar dinamikën e ngjarjes, ku Migena është vrarë në dhomën e saj të gjumit, ndërsa më pas 43 vjeçari ka qëlluar dhe veten në oborrin e banesës.
Grupi hetimor po merr në pyetje familjarët e dy viktimave, për të zbardhur arsyet që kanë shtyrë Rolandin të ndërmarrë krimin e rëndë. Ndërkohë dy prindërit e moshuar të tij kanë qenë ata që kanë njoftuar policinë, ndërsa nga fqinjët janë dëgjuar tre të shtëna. Vjehrra e Migenës thuhet se kishte probleme me lëvizjen për shkak të një incidenti të disa kohëve më parë, dhe për këtë shkak ka deklaruar se ka mbërritur me vonesë në dhomën e nusess së saj.
Sipas fqinjëve, familja Sinani ishte e tërhequr dhe nuk kishin shumë komunikim me komunitetin në lagje. Për bashkëshortin e 37-vjeçares ata kanë thënë se shikonte punën e tij dhe ishte njeri i qetë.
“Rolandi dhe familja e vëllait jetonin në një banesë në Shkozë në kushte të vështira ekonomike. Në familje vëllezërit punon të dy. Erjoni si taksist turni i 3 dhe Rolandi në një servis gomash. Nusja dhe Erjoni kujdeseshin për 2 fëmijët e mitur por edhe për 2 prindërit e sëmurë.
Në disa raste ata kujdeseshin edhepër Rolandin, i cili prej kohësh vuante nga depresioni. Nuk kanë pasur konflikte në familje, kanë shkuar shumë mirë.
Nusja flinte në krevat me vajzën 2 vjeç e cila ka qene dëshmitare në ngjarje. Ndërsa djalin 4 vjeç e kishte çuar tek familja e prindërve të nuses”, kanë thënë fqinjët e familjes Sinani.
Dëshmia e burrit të viktimës gjithashtu po merret nga policia, dhe pritet të zbulojë më shumë rreth faktit nëse vëllai i tij dhe bashkëshortja kanë pasur apo jo konflikte të mëhershme. Pas vrasjes dhe vetëvrasjes së sotme, numërohen 15 viktima prej fillimit të vitit.