Një ngjarje e rëndë është shënuar në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, ku një makinë ka përplasur me dashje një mjet tjetër.
Bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 08.00, ku shtetasit Mario Xhangolli, 30 vjeç dhe Sindi Syzo, 28 vjeç kanë përplasur me dashje mjetin e Eris Çekani, 39 vjeç, banues në Pogradec.
Pas përplasjes, të dy shtetasit kanë dalë nga automjeti, kanë kanosur shtetasin Çekanin, i kanë dëmtuar atij, me sende të forta, automjetin dhe janë larguar me shpejtësi, nga vendngjarja. Gjatë largimit, për shkak të shpejtësisë, automjeti tip “Hummer” është përplasur me një automjet tjetër, me pasojë vetëm dëme materiale. Policia ka shpallur në këkrim autorët.
Kujtojmë që vetëm pak ditë më parë Çekanit, i kishin vendosur GPS poshtë mjetit. Për këtë ngjarje ai akuzoi Syzon.
Personat në fjalë kanë pasur shpesh përplasje. Kohë më parë e njëjta ngjajre si sot u shënua në Elbasan, ku Çekani u ndoq dhe më pas u përplas nga një makinë tip Golf, ku brenda kësaj makine dyshohet se kanë qenë Sindi Syzo, Brian Syzo dhe Mario Xhangolli.
Njoftimi i policisë së Pogradecit:
Përplasën qëllimisht me automjet, automjetin e një 39-vjeçari, më pas e kanosën 39-vjeçarin dhe i dëmtuan me sende të forta, automjetin, identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 autorët e dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, menjëherë pas kallëzimit të marrë nga shtetasi E. Ç. se rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, 2 shtetas e kishin kanosur dhe i kishin dëmtuar me sende të forta, automjetin, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Nga veprimet e shpejta hetimore, janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim 2 autorët e dyshuar, shtetasit M. Xh., 30 vjeç dhe S. S., 28 vjeç, të banues në Pogradec, të cilët dyshohet se për motive të dobëta, kanë përplasur qëllimisht, me automjetin tip “Hummer” me të cilin qarkullonin, automjetin e shtetasit E. Ç., 39 vjeç, banues në Pogradec.
Gjithashtu, dyshohet se pas përplasjes, të dy shtetasit kanë dalë nga automjeti, kanë kanosur shtetasin E. Ç., i kanë dëmtuar atij, me sende të forta, automjetin dhe janë larguar me shpejtësi, nga vendngjarja. Gjatë largimit, për shkak të shpejtësisë, automjeti tip “Hummer” është përplasur me një automjet tjetër, me pasojë vetëm dëme materiale. Më pas shtetasit M. Xh. dhe S. S. kanë braktisur automjetin dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen e këtyre shtetasve përpara përgjegjësisë penale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet e thelluara, kryerjen e veprimeve procedurale dhe fiksimin e të gjitha provave, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.