Rritja e normave të interesit godet rëndë Raiffeisen Bank, krize te dera?! Preken keqaz fondet e investimeve

Fondet shqiptare të investimeve kaluan një periudhë stresi për likuiditet gjatë verës së vitit të kaluar teksa Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit për të përmbajtur valën e inflacionit në ekonomi. Goditja me përmasa serioze është zbuluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një analizë të posaçme për fondet e investimeve në Shqipëri.

Sipas gazetarit Klodian Tomorri, më të goditurat ishin Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Euro dhe Premium.

“Mes qershorit dhe gushtit të vitit 2022, shitjet e kuotave nga investitorët në fondet e investimeve ishin 11 miliardë lekë ose 15 për qind e aseteve neto të sektorit,” zbulon FMN.

Të nxitur nga rritja e interesave të letrave qeveritare me vlerë, por edhe thirrjet e qeverisë për të investuar në to mijëra qytetarë shitën kuotat e tyre në fondet e investimeve. Flukset dalëse të likuditetit ishin veçanërisht të larta për fondin Raiffeisen Prestigj, atë Raiffeisen Euro dhe Premium, ku shitjet e kuotave për periudhën Qershor-Gusht u luhatën nga 15 deri në 25 për qind të totalit të aseteve neto duke i vënë në stres likuiditeti këto fonde.

Fondet e investimeve

Sektori i fondeve të investimeve në Shqipëri është zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit duke arritur në 77 miliardë lekë ose 690 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare, këto janë para që 41 mijë qytetarë shqiptarë i kanë investuar në fondet e investimeve për të siguruar një normë më të lartë kthimi se investimi në depozita bankare.

Por ndryshe nga depozitat, që normën e kthimit, ndonëse më të vogël, e kanë të sigurtë me fondet e investimeve mund të marrësh fitime më të larta, por në të njëjtën kohë mund edhe të humbasësh.

Mekanizmi

Kur një qytetar investon 100 lekë në një fond investimi, praktikisht ai bëhet aksioner në Fond. Në këmbim të parave të investuara, qytetari merr një kuotë, e cila përfaqëson përqindjen e aksioneve që ai zotëron në Fondin e Investimit.

Paratë e marra nga qytetari, Fondi i Investimeve i investon kryesisht në letra me vlerë të qeverisë, dhe me pak edhe ne aksione ose obligacionet private. Dhe fitimet e realizuara nga këto investime rrisin vlerën e kuotës që qytetari ka investuar në Fondin e Investimit.

Fjala vjen nëse në vitin e para, Fondi realizon një fitim 4 për qind, vlera e kuotës së mbajtur nga qytetari shkon në 104 lekë e kështu me radhë. Por në rrethana të caktuara, ky proces mund të marrë tjetër rrjedhë.

Interesat

Kur normat e interesit në treg rriten atëherë të paktën në afatshkurtër fitimet që gjeneron Fondi ulen. Mekanizmi shkaktohet nga lidhja kundërt që ka çmimi i bondeve me normat e interesit. Kur normat e interesit rriten, vlera e bondeve që mban Fondi ulet. Meqënëse vlera totale e Fondit ulet, atëherë edhe kuota që u takon qytetarëve ulet në të njëjtën masë.

Kur shohin që vlera e kuotës së tyre ulet, investitorët mund të tundohen që të mbyllin investimin e tyre në Fond duke e shitur kuotën për t’i investuar paratë në letra me vlerë të qeverisë me interesa më të larta. Sapo investitori njofton Fondin se do të shesë kuotën sipas ligjit Fondi është i detyruar që ta blejë atë duke i dhënë paratë qytetarit.

Kur kjo ndodh masivisht, kapitalet e lira që ka në dispozicion Fondi mund të mos mjaftojnë. Rrjedhimisht ai do detyrohet të shesë bondet që ka, por tani për shkak të rritjes së interesave me çmim më të ulët. Kjo ndodhi në Shqipëri verën e vitit të kaluar duke i vënë në vështirësi likuiditeti disa fonde investimesh. Përtej kësaj, problemi bëhet më i mprehtë edhe nga fakti se në Shqipëri nuk ka treg dytësor, ku bondet mund të tregtohen lirshëm.

Për këtë arsye FMN i ka rekomanduar Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare që të rrisë kërkesat rregullatore, kryesisht për kapital dhe të miratojë disa masa shtesë, përfshirë instalimin e një tarife për investitorët që duan të shesin kuotat për të dekurajuar shitjet masive. /oligarkia.al