Nga Denis Dyenjaja

Përtej lajmeve, në TV ka mbetur të hapet vetëm një sex shop (dyqan me lodra dhe artikuj seksualë) pak a shumë si ato reklamat e filtrave të ujit dhe të plotësohet i tërë kuadri i varfërisë kulturale për të prodhuar mendim. Dmth nuk ka më hapësirë për mendim.

Hapësirat televizive lidhen kryesisht me marrëdhëniet intime, tradhëti, orgji, u ndave, u bashkove, u dashurove, u degjenerove, u kap mat, u rrahën, u vranë se iu zbulua dashnori/ja. A bën sex? Si e bën? Ku e bën? Me kë e bën? Sa herë e bën? Ta lyp, s’ta lyp? Ia jep, s’ja jep?

A do e bëje…?! E kështu nuk ka fund marrëzia e një kurioziteti pa kuptim. Një masturbim mental i atyre që ideojnë emisione, rubrika, programe e biseda pa mbarim, për të krijuar një interes të pakuptimtë publik, duke përgjuar ose mësuar sesi të përgjojnë/më nga vrima e çelësit njëri tjetrin mëngjes, drekë e darkë.

Po më mirë të lidhin live një kanal pornografik dhe audienca është e garantuar. Çfarë dalldie psikike dhe mangësie e thellë kulturale e autorëve dhe editorëve, që fshehin komplekset e tyre në versionin e mendjes së hapur, që në fakt është më e mbyllur se e çdo injoranti funksional. Ndryshe nuk ka shpjegim ky mjerim kultural masiv.

Dhe pastaj vajzat apo gratë ankohen për bezdi mashkullore në rrugë, në autobus apo në lagje. Çfarë mund të presësh nga televizioni e media që ushqen e promovon seksizëm pa ndalim, me ose pa vetëdije?!

Ndërkohë media dhe televizioni në marrëzinë për audiencë po prodhon e ushqen një frustrim mashkullor masiv i cili pasohet pastaj nga mungesa e respektit, lirisë apo dhuna ndaj vajzave e grave, por ndikon të përhapet masivisht edhe mentaliteti i një modeli kurvëirie masive.

Kjo pra është ajo që ushqen televizioni e media sot nga mëngjesi në darkë, duke e shndërruar në shtazarake një shoqëri që ka nevojë së pari të mësojë arsyen dhe qytetarinë, pastaj çmendurinë apo dalldinë!