Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tyre, pasi akuzohet se kanë grabitur një subjekt privat.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Liqeni”, në pranga janë vënë shtetasit L. S., 19 vjeç, dhe B. M., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. D., 53 vjeç, banues në Tiranë.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.06.2023, kanë vjedhur në një subjekt privat për tregtimin e pijeve alkoolike, një kasafortë, një aparat celular dhe dy njësi qendrore. Më pas, ata e kanë hedhur kasafortën e vjedhur, në liqenin artificial të Tiranës.” thuhet në njoftimin e bluve të kryeqytetit.

Në cilësinë e provës materiale, Policia ka sekuestruar kasafortën e vjedhur, aparatin celular të vjedhur dhe mjete (çekiç, levë) me të cilat autorët e dyshuar kanë realizuar vjedhjen.

Në njoftim thuhet se vijon puna për kapjen e shtetasit A. D. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj vjedhjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.