Pas 4 ditësh në arrati, është arritur që të identifikohet dhe të shpallet në kërkim, autori i cili grabiti një pikë këmbimi valutor në datë 24 qershor në zonën e Unazës së Re.
Referuar njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, autori është identifikuar si Artan (Marius) Tafani, i dënuar më parë për vjedhje.
Ndërkohë, ai është ndihmuar nga një tjetër person. Bëhet fjalë për Enio Mecaj, i cili e ndikoi që të fshihte rrobat dhe biçikletën me të cilën u largua nga vendi i ngjarjes. Për këtë arsye, Mecaj është vënë në prangat e Policisë.
Artan (Marius) Tafani arriti të grabiste 30 mijë €, e ndërsa në 2015 kishte grabitur një tjetër pikë këmbimi valutor në Lushnjë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur me datë 24.06.2023, kanë vijuar punën intensive me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje dhe personave të tjerë të implikuar, si dhe vënies së tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Në vijim të veprimeve intensive hetimore, bazuar dhe në provat e grumbulluara dhe informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Round”.
Në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim autori i dyshuar i kësaj ngjarje, Artan (Marius) Tafani 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjithashtu u bë arrestimi i Enio Mecaj, 35 vjeç, banues në Fier.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se Artan (Marius) Tafani, më datë 24.06.2023, në Unazë të Re, është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor, dhe nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka marrë një shumë parash është larguar me një biçikletë.
Enio Mecaj, i ka vënë në dispozicion autorit të dyshuar një garazh automjetesh, dhe me veprimet dhe mosveprimet e tij ka penguar zbulimin e së vërtetës, duke pretenduar se nuk e njeh personin që ka në posedim garazhin.
Gjatë kontrollit të garazhit u gjetën biçikleta dhe veshjet e përdorura nga autori gjatë ngjarjes, si dhe një automjet që rezulton i vjedhur me datë 23.02.2023, në Shijak, Durrës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.