Ditën e sotme prokurori Vladimir Mara dha detaje rreth operacionit ku u godit një grup kriminal, që merrej me trafikun e drogës.
Ai ka treguar edhe rolin e shqiptarëve në këtë grup, që merrej me trafikun e drogës nga Siria ndërsa kishte si destinacion vendet e BE.
Sipas Marës janë vendosur gjithsej 21 masa të sigurimit personal, ndërsa 20 janë ekzekutuar. Mara shtoi se një prej tyre është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kreu i grupit kriminal është Endrit Bakiu, ndërsa pjesa tjetër e të arrestuarve kanë pasur rolin e shpërndarësit të lëndës narkotike.
Mes 20 personave të arrestuar për trafikun e lëndëve narkotike nga Siria drejt Shqipërisë dhe vendeve të BE-së, është edhe një efektiv i policisë.
Bëhet fjalë për Marash Gjonin polic i kufirit në Shkodër, i cili dyshohet se është korruptuar nga anëtarët e grupit kriminal gjatë transportit të një sasie të lëndëve narkotike.
Po ashtu u bë e ditur se SPAK ka kryer dhe hetim pasuror për anëtarët e grupit kriminal, ku transportimi i drogës bëhej me kamion.
Sakaq janë zbardhur edhe disa bisedat telefonike që anëtarët e grupit bënin me njëri tjetrin për të mundësuar edhe kalimin e lëndës narkotike.
Dosja hetimore për këtë operacion përbëhet nga 105 faqe ku përfshihen dhjetëra biseda të transkriptuara mes anëtarëve të strukturuar të grupit kriminal.
Ora News zbardhi me heret edhe emrat e anetareve te grupit kriminal, ku 20 prej tyre jane arrestuar dhe 1 tjeter eshte shpallur ne kerkim.
Ata janë shtetasit: Endrit Bakiu, Suko Pajo, Artur Sulaj, Arian Tola, Fadjon Çami, Viron Lekaj, Artan Agalliu, Shpëtim Pjeshka, Jani Çavo, Kudret Rustemaj, Besnik Ruçi, Pirro Çapi, Jani Meçja, Edmond Kabashi, Tomi Hila, Leonard Nergjoni, Artin Kurti, Astrit Miska, Ervis Çvilo, Mirash Gjoni dhe Sonila Sula (arrest shtëpie).