Gazetari Klodian Tomorri foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi raportin vjetor të DASH për Shqipërinë, si dhe zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste. Tomorri tha se konkurrenca në vend është vrarë me qëllim që qeveritarët të hyjnë në pazare të drejtpërdrejta me kompanitë që duan koncesione.
Mbi shkarkimin e Gjinkurit si Sekretar i Përgjithshëm i PS, Tomorri tha se ose kryeministri ka informacione që ndaj tij po zhvillohen hetime dhe e lëshoi, ose e hoqi nga posti që mbante për ta rimarrë në kabinetin qeveritar.
Sipas gazetarit Shkarkimi i Ibrahimajt s’ka qenë lajm i rremë, pasi është konfirmuar nga Endri Fuga, por Rama ka ndërruar mendje mbi vendimin. Tomorri foli për një sherr brenda qeverisë mes ministreve Ibrahimaj dhe Balluku.
“Ne dimë që kjo situatë lihet ashtu sepse qeverisë i intereson, zyrtarëve u intereson, sepse në këtë situatë mund të fitojnë ryshfete. Në një ekonomi ku s’ka pastrim parash dhe zbatohet ligji është shumë e vështirë që zyrtarët të marrin ryshfete. Në thelb të gjitha kontratat koncesionare kanë qenë prokurime të drejtpërdrejta. Duke qenë marrëveshje që s’kanë garë, kanë dëmtuar konkurrencën, kanë përjashtuar biznese të tjera nga mundësia për të konkurruar. Koncesioni i inceneratorëve ka lindur nga një ofertë e pakërkuar nga një kompani, që i ka propozuar qeverisë një plan biznesi, u caktua tarifa 29 euro për ton. Nëse do kishte pasur garë do vinte një kompani tjetër, që mund të merrte përsipër ta bënte për 20 apo 15 euro. Kjo është mënyra se si kontratat koncesionare kanë vrarë konkurrencën. Edhe investimet strategjike janë edhe një formë e vrasjes së konkurrencës, dhe kanë një aspekt tjetër marrjen e pasurive publike falas. Prandaj është vrarë konkurrenca që qeveritarët të hyjnë në pazar të drejtpërdrejtë me kompanitë që duan të marrin koncesione”, tha Tomorri.
Mbi rolin e Gjiknurit në aferën e inceneratorëve dhe shkarkimin si Sekretari Përgjithshëm i PS, Tomorri u shpreh:
“Në fakt mënyra se si po copëzohet hetimi për inceneratorët të lë të dyshosh që dikush po e dirigjon dhe vazhdon të bëjë koka turku në mënyrë periodike, për ta kufizuar hetimin që të mos shkojë deri në fund. Nuk besoj se Gjiknuri është nga personat kryesore për përgjegjësinë ligjore për kontratat e inceneratorëve. Në një moment të caktuar kur ai ishte në Ministrinë e Energjisë atij iu dhanë këto kontrata që ishin bërë nga ministria e Mjedisit. Unë nuk besoj se është Gjiknuri njeriu kyç në aferën e inceneratorëve. Afera është korrupsion qeveritar, ku është përfshirë gjithë qeveria, atë firmë që ka hedhur Gjiknuri e ka hedhur çdo ministër i qeverisë. Nëse Prokuroria dhe SPAK ka prova të tjera ndaj Gjiknurit që ne s’i dimë në publik, por që kryeministri i di, dhe në të shkuarën është treguar se Rama ka akses për hetimet që kryen SPAK. Ndoshta Gjiknuri mund të jetë kurbani i radhës që i hidhet drejtësisë nga Rama, por mund të ketë lëvizje të tjera nga mbrapa. Por s’do ishte çudi sikur Gjiknuri të merrte një post nesër në kabinetin Rama. Rama ka treguar që është i paparashikueshme. Dy janë mundësitë, ose kryeministri ka informacion që Prokuroria po zhvillon hetim ndaj Gjiknurit, dhe ka prova të forta dhe e lëshoi. Ose variant tjetër, që ndoshta e hoqi nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm për ta marrë nesër në kabinetin qeveritar.
Lidhur me daljen në disa media të lajmit për shkarkimin e Ibrahimajt, gazetari shtoi:
“Lajmi për shkarkimin e MF s’ka qenë i rremë. Ka pasur një shkarkim të ministres pas mbledhjes së qeverisë. Është konfirmuar në mediat afër qeverisë nga Endri Fuga. Kjo situatë ka zgjatur për 2-3 orë. Madje disa media të rreshtuara hodhën edhe emrin e ministres së re të Financave. Ajo që ka ndodhur dje është një mungesë e theksuar serioziteti se si qeveriset Shqipëria. Shkarkohet ministrja, më pas kryeministri pendohet, ose bën llogari të tjera dhe del e përgënjeshtron lajmin. Informacionet janë për një debat, apo sherr të fortë në mbledhjen e qeverisë, mes personit që ka drejtuar mbledhjen e qeverisë dhe ministres së Financave. Mbledhjen e qeverisë s’e ka drejtuar kryeministri. Pasi kryeministri është vënë në dijeni të sherrit që ka qenë me të vërtet i fort ka marrë vendimin. Sherri ka qenë mes Ibrahimajt dhe Ballukut. Kemi informacione të kufizuara për arsyet e sherrit, por ka pasur përplasje dhe konflikte të vazhdueshme mes Ballukut dhe Ibrahimajt. Kujt i interesohej të pompohej në media ky lajm, sigurisht kampit rival”.
I pyetur a do të shkarkohet ministrja Krifca, Tomorri u shpreh:
“Kjo ishte arsyeja përse unë e pashë largimin e Gjinkurit si një opsion me dy alternativa, ose rimarrjen në qeveri, ose fakti që po i lëshohet drejtësisë. Eksperienca tregon që kur kryeministri nuk do nuk i lëshon ata bashkëpunëtor të tij, që mund të ketë dyshime për përfshirje në afera korruptive. Skandali i ndërprerjes së fondeve në bujqësi për shkak të korrupsionit do kërkonte që të largohej ministrja e Bujqësisë, por kryeministri s’e bëri këtë. Ndoshta në mbledhjen e ardhshme në Tepelenë do shpallen ndryshimet në qeveri, ministrat që largohen dhe ata që do i zëvendësojnë”.