Pista e vrasjes me dashje ngrihet mbi vdekjen e Antonio Masia-s, punonjësit 53-vjeçar i cili u gjet i pajetë më 25 korrik 2022 në Sassari të Italisë.

Prokurori Publik i Sassarit, siç raporton gazeta La Nuova Sardegna, ka futur në listën e të dyshuarve për vrasje me dashje një nga kolegët e viktimës, shqiptarin Arben Luri, 48 vjeç.

Dyshohet se vdekja fillimisht ishte konstatuar e natyrshme, e shkaktuar nga një atak në zemër, por më vonë dyshimet u ngritën mbi një aksident në punë, ku trupi i tij i pajetë ishte fshehur nga dikush për të vonuar zbulimin dhe për të ngatërruar situatën.

Në kuadër të hetimeve, një tjetër koleg i Masias, Fabio Mario Saba, po hetohet për vrasje nga pakujdesia, fshehje trupi, zjarrvënie e rëndë dhe ndotje mjedisore.

Sipas Prokurorisë Publike, ishte ai që ndezi zjarrin që shkatërroi një pjesë të madhe të impianit të mbetjeve Gesam 12 ditë pas vdekjes së Masias.

Tri persona të tjerë dyshohen për zjarrin në zonë. Ata janë Stefano Squintu, menaxheri i Gesam, Innocenzo Mario Giannasi dhe sipërmarrësi Federico Soro, i cili ishte në bisedime për të marrë kompaninë për një shifër rreth 11 milionë euro.