Shifrat e turistëve po rriten dita ditës këtë sezon veror në Shqipëri, të cilët madje e kanë vlerësuar si Maldivet e pazbuluara të Europës.
Veç bukurive natyrore, një nga arsyet kryesore që të huajt e zgjedhin Shqipërinë, është edhe prej namit të përhapur në botë se pushimet këtu kushtojnë lirë.
Mirëpo, krahas fluksit dhe eksperiencave të bukura, ka edhe turistë që bien në grackë nga sipërmarrës abuziv.
Ndryshe nga ofertat që ju paraqiten në faqet e internetit, kur mbërrijnë në vendin e prenotuar zhgënjehen nga kushtet. Programet virtuale me renditjen e bizneseve turistike janë një ndihmesë e madhe për të huajt të cilët bazohen mbi përshtypjet që lexojnë aty.
Për të shmangur komentet negative, agjentët turistikë këshillojnë pronarët e bizneseve të punojnë me synimin që turistët të rikthehen dhe jo për të përfituar për momentin. Gjithashtu, ata rekomandojnë për të huajt kryerjen e një kërkimi para se të përzgjedhin vendin ku do pushojnë.
“Klientët duhet të shohin tek platformat online që sa review ka, nëse a pak nuk merren parasysh, nëse ka shumë, duhet të shohin fotot që kanë hedhur klientët reale, që dalin me data dhe pakënaqësitë që kanë, sepse mund të jenë foto ndryshe në website dhe kur shkojnë zhgënjehen”
Por në kohën e medias sociale ku komentet arrijnë të ndikojnë në ecurinë e një biznesi, këto skema mashtrimesh nuk do të zgjasin gjatë, pasi të gjithë eksperiencën e dokumentojnë online.