Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy të dyshuarit e vrasjes së 32-vjeçares, Luljeta Preza, e cila u gjet ditën e djeshme poshtë urës së “Dajlanit” në qytetin e Durrësit.

Të arrestuarit janë Aldo Ibrahimi dhe Ylli Grabovari. Dy shtetasit fillimisht u shoqëruan në komisariat së bashku me 15 persona të tjerë, të cilët më pas u lanë të gjithë të lirë, duke iu vënë përgjues.

Dy të dyshuarit pasi u lanë të lirë, në bisedat mes tyre mësohet të kenë thënë “shpëtuam për mrekulli”. Ka qenë kjo bisedë që i ka çuar më pas në pranga, teksa më pas edhe kanë pranuar krimin.

Mësohet se mes tyre ka nisur një konflikt. Dy personat i kanë kërkuar paratë e mbledhura, por asaj i janë dashur për t’u kuruar pasi kishte pësuar një aksident në Durrës disa ditë më parë, dhe ka dashur të mbajë një pjesë të parave, por ata nuk kanë pranuar.

Pas konsumimit të lëndëve narkotike kokainë, konflikti ka degraduar në dhunë, teksa dy të arrestuarit e kanë goditur me thikë Prezën dhe e kanë lënë të vdekur në vend.