Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur pak kohë më parë në Kishën e Shën Kozmait në qytetin e Elbasanit.

Një person që ishte futur brenda kishës si besimtar ka shfrytëzuar menjëherë rastin dhe është nisur drejt altarit, me synimin e qartë jo për t’iu lutur Zotit që t’i falte mëkatet, por të mëkatonte në altarin e kishës duke vjedhur.

Duke mos e ditur se ambienti monitorohej nga kamerat e sigurisë, ai menjëherë shfrytëzon rastin e mungesës së priftit At Nikolla Xhufka dhe hyn në aksion.

Fillimisht vjedh një kryq të argjendtë në pjesën e altarit të cilin e fut në xhep.

Por nuk ndalon këtu, kthehet dhe sheh se ka ende për të vjedhur dhe merr menjëherë telefonin e priftit dhe e fut në xhepin e xhupit.

Sapo niset për t’u larguar përballet me të papriturën, priftin At Nikolla Xhufka që i del përpara dhe i thotë: Ndalo se të kapi kamera, çfarë more tek xhepi.

Prifti: Ndalo se të kapi kamera. Çfarë more tek xhepi? Nxirre.

Hajduti: Më fal ë!

Prifti: Përse më fal? Nuk e di që ka kamera aty o burrë i dheut? Nuk ke turp ti? Mirë, ti hyre… nuk e pe ti atë… Tjetrën, nxirre çfarë ke marrë. Mirë kthehu një herë andej (nga kamera)? Ashtu de, ik tani.

Hajduti: Ça do marr unë o burrë?

Prifti: Nesër thuaji policisë.

Hajduti: Unë ta dhashë!

Prifti: Nesër do të të denoncoj unë ty në polici. Që sot në darkë, nesër prit policinë.

Hajduti: A e more?

Prifti: Si?

Hajduti: A e more?

Prifti: Kush je ti ore që hyn brenda dhe vjedh?

Hajduti: Më fal e burrë?

Prifti: Më fal? Ku ka më fal sot po ik. Të fal që more telefonin?

Hajduti: A e more mbrapsht? Të lutem!

Prifti: Si e mora mbrapsht? Do ma jepje se s’bën!

Hajduti: Po mirë s’jam duke e vënë në dyshim, më fal.

Prifti: Mirë pra mirë, vazhdo. Nesër do vijë policia.

Pavarësisht se i tha se do e denonconte në polici, prifti i kishës nuk e bëri, ndërsa priti për shumë muaj që ky shtetas të kthehej dhe të kthente dhe kryqin e argjendtë dhe të kërkonte falje, por një gjë e tillë nuk ndodhi.