Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë me gati dy herë sasinë e eurove që do të blejë këtë vit nga tregu i brendshëm. Oligarkia.al ka mësuar se vendimi është marrë sakaq dhe pritet që shumë shpejt të shpallet zyrtarisht.

Për vitin 2023, Banka e Shqipërisë kishte planifikuar të blinte 160-220 milionë euro nga tregu i brendshëm me qëllim rritjen e rezervës valutore të vendit. Por tashmë kufiri do të ndryshohet nga 220 deri në 300 milionë euro.

Sinjalet për ndërhyrjen në kursin e këmbimit u dhanë një ditë më parë nga Guvernatori Gent Sejko. “Deri më sot kemi tërhequr nga tregu për këtë vit 170 milionë euro. Duke parë ecurinë e kursit të këmbimit po rikonsiderojmë të rrisim blerjet për efekt të rezervës valutore të BSH për pjesën tjetër të vitit,” deklaroi shefi i Bankës Qendrore.

Në tremujorin e parë të vitit, Banka e Shqipërisë bleu në total vetëm 26 milionë euro nga tregu. Por gjatë tremujorit të dytë, për shkak të forcimit drastik të lekut ndaj monedhës europiane, sasia e eurove të blera nga BSH është rritur në mënyrë agresive duke arritur në 170 milionë deri në fund të korrikut.

Kjo gati e ka ezauruar kufirin e mëparshëm që BSH kishte përcaktuar të blinte për këtë vit duke e lënë Bankën Qendrore pa asnjë hapësirë për të ndërhyrë më në tregun valutor. Për këtë qëllim Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë kufirin e planifikuar të blerjeve duke e çuar tavanin e tij deri në 300 milionë euro.

Kjo lëvizje thuajse e detyruar e BSH vjen për shkak të situatës së pazakontë me kursin e këmbimit, ku leku vazhdon të forcohet në mënyrë të pandalshme ndaj të gjitha monedhave kryesore të botës. Ndonëse deri më tani, BSH ka qenë solide në qëndrimin e saj se forcimi i monedhës po vjen nga përmirësimi i ekonomisë, një ditë më parë, Sejko u detyrua të pranonte përmasat e forcimit nuk janë në përputhje me faktorët ekonomikë.

“BSh po e shikon me vëmendje ecurinë e kursit të këmbimit dhe për të shmangur këto rreziqe mund të konsiderojë të shtojë blerjet rezervë në pjesën e mbetur të vitit. Kjo është ajo çka po marrin në konsiderët në raport me mbiçmimin e përshpejtuar të kursit të këmbimit gjatë korrikut. Pra është më i shpejtë se produktiviteti dhe rritja e ekonomisë. Sigurisht që jep sinjale rreziku në këtë moment” përfundoi Sejko.