Policia ka vënë në pranga Henri Gjapin, i cili akuzohet për vrasje nga pakujdesia. 26-vjeçari u kap në Rinas teksa po tentohej të kthehej në Shqipëri.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia””, njoftoi policia.

Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet Gjapi ndodhi më 31 mars në zonën e ish-Bllokut. Ai u konfliktua me 46-vjeçarin Gentian Talja. Sherri mes tyre ndodhi në orët e para të mëngjesit pasi kishin dalë të dy nga lokale të ndryshme dhe ishin në gjendje të dehur.

Arrestohet në Rinas Henri Gjapi, akuzohet për vrasjen e

Viktima, Gentian Talja

 

Në këtë konflikt ka ndërhyrë edhe 41-vjeçari Artur Gjolena që sipas policisë ka goditur Gjapin. Mirëpo ky i fundit kishte lëshuar grushte të forta ndaj Taljes. 46-vjeçari pas disa minutave humbi ndjenjat dhe u rrëzua në tokë duke përplasur kokën në trotuar.

Ai u dërgua në spital, por pas disa orësh kaloi në gjendje kome derisa ndërroi jetë disa ditë më parë. I gjithë sherri i tyre u filmua nga një kamera sigurie. Po ashtu, të gjithë të përfshirët në këtë sherr nuk kishin njohje dhe takimi në rrugë ka qenë i rastësishëm.

26-vjeçari Gjapi u shoqërua në polici gjatë kohës që viktima ishte në spital, por u la i lirë. Në fillim ngjarja u referua për plagosje të rëndë, por pas vdekjes së 46-vjeçarit ajo u cilësua si vrasje nga pakujdesia. Pas kësaj, Gjapi u shpall në kërkim, ndërsa Artur Gjolena u procedua në gjendje të lirë.