Detaje të reja mësohen nga vrasja e ndërtuesit 55-vjeçar Armando Meshau, ditën e sotme në Vlorë.
Meshau u qëllua dy herë me grusht në fytyrë nga 33-vjeçari Rei Meta, djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë Nurihan Meta.
Rei Meta, punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, i kishte premtuar Meshaut zgjidhjen e një problemi për një pronë, dhe në këmbim do të merrte si shpërblim një apartament.
Dyshohet se Rei Meta kishte përdorur emrin e nënës së tij punonjëse në KLP dhe ndikimin si doganier për zgjidhjen e problemit.
Megjithatë Meshau kishte gjetur zgjidhje për problemin me pronën përmes disa personave të tjerë. Këtu dyshohet se ka lindur konflikti, pasi Rei Meta insistonte se e meritonte si shpërblim apartamentin.
Meshau ka refuzuar t’ia japë dhe për këtë arsye janë konfliktuar me fjalë fillimisht, dhe më pas Rei Meta e ka qëlluar dy herë me grusht, dyshohet duke i shkaktuar vdekjen.