Një shtetas shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë mbrëmjen e kaluar në ishullin e Paksos në Greqi, pasi u përlesh me një bashkëkombës të tij, i cili është shpallur tashmë në kërkim.

51-vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet me dije, ishte takuar me autorin me të cilin më pas pati një debat, që detyroi këtë të fundit të nxirrte pistoletën dhe të qëllonte disa herë në drejtim të tij.

I plagosuri u dërgua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, teksa policia ka rrethuar zonën dhe po kërkon për autorin, i cili mendohet të ketë hyrë në vend nga Italia, posaçërisht për të takuar 51-vjeçarin.

Motivet e ngjarjes janë ende të paqarta, por hetuesit nuk përjashtojnë pistën e larjes së hesapeve për borxhe apo dhe atë të hakmarrjes.