Detaje të reja janë zbardhur nga konflikti që ëoi në pezullimin e një efektivi policie në Berat.
Dritan Toska, i cili shërbente si efektiv i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Berat u pezullua nga detyra me urdhër të AMP-së, pasi është konfliktuar me fqinjën e tij.
Ka qenë një denoncim i kësaj të fundit, bërë pasditen e djeshme në Komisariatin e Policisë Kuçovë, që ka vënë në lëvizje AMP-në.
Shtetësja në fjalë ka kallëzuar efektivin se e ka goditur në fytyrë pasi ishin përfshirë në një konflikt për një gardh ndarës midis dy familjeve.
Efektivi Dritan Toska, i cili banon në Kuçovë, fillimisht është konfliktuar me fqinjët verbalisht, ku nuk kanë munguar të sharat dhe ofendimet, ndërsa më pas ka qëlluar me shpullë fqinjën e tij.
Për më tepër denoncuesja pretendon se në një moment efektivi ka dashur të nxjerrë edhe armën.
Edhe pse Toska nuk ka qenë në shërbim kur ndodhi konflikti, me veprimet e tij dhe dhunën e ushtruar mbi fqëinjën që e denoncoi rezulton se ka thyer rëndë Kodin Etik të Policisë së Shtetit.
Materialet hetimore në ngarkim të Toskës në lidhje me ngjarjen ku është përfshirë efektivi i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.