Nuk është histori vere. Tani nuk ka më asnjë dyshim, raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë futur në një krizë që sa vjen dhe thellohet. Shkaku e ka emrin Fredi Beleri. Fillimi dihet. Ishte në 12 Maj që nisi me arrestimin e tij, por fundi i kësaj përballje në distancë që kaloi nga replikat në vendime konkrete nuk dihet.
Sa vjen dhe çarja thellohet. Brenda pak ditëve Athina zyrtare ka marrë tre vendime të forta kundër Shqipërisë. I pari ishte një shmangie diplomatike që nuk ftoi kryeministrin Edi Rama, që e cilëson përgjegjës për arrestimin e Fredi Belerit, por Presidentin në darkën informale të liderëve të Ballkanit.
Në Athinë mesazhi ishte i qartë. Por nuk kishte dyshim që Edi Rama do të reagonte. Nuk ishte me të njëjtën monedhë. Madje, kreu i qeverisë shqiptare shkoi edhe më tej. Jo vetëm që nuk kishte qejfmbetje, por në një postim të dytë brenda pak orëve shprehu solidaritetin e tij për situatën e zjarreve në Greqi.
Sot urdhëroi pushtetin lokal, disa bashki nga Korça, Maliqi, mes tyre edhe minoriteti në Dropull të nisnin punonjësit me zjarrfikëset drejt Greqisë për t’i ardhur në ndihmë. Një operacion imazhi, që dështoi. Athina refuzoi. “Nuk kemi nevojë”-tha Peleshi, se i kishin thënë. Zjarrfikëset u kthyen mbrapsht. Por fqinjët nuk janë mjaftuar me kaq.
Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale kërcënoi se Greqia do të vendosë veton për integrimin dhe fondet nga Brukseli. “Nuk i druhem kësaj” – tha Rama sot. Strumbullari Fredi Beleri, jo vetëm që nuk është liruar, por u nxor nga spitali dhe u nis drejt paraburgimit të Durrësit.
Asnjë nga palët nuk lëshon dhe në këtë mes me shumë gjasë do të “këputet” dialogu për çështjet e vjetra, mes tyre kufiri detar, etj. Gjithçka edhe njëherë drejt pikës zero…