INVESTIGIMI/ Si i shpëtoi “bosi” Alban Xhepa hetimeve për pastrim parash , dyshimet për lëvizjet e prokurorëve dhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave
Hetimi dhe dënimi i pastrimit të parave në Shqipëri ka dështuar.
Institucionet përgjegjëse për të luftuar këtë aktivitet kriminal kanë sjellje formaliste, ndërkohë që, numri i atyre që janë dënuar, është minimal. Pavarësisht shifrave demonstrative për rastet e zbuluara, pasurive të sekuestruara, dosjet, që përfundojnë në gjykatë, janë të pakta.
Shumica e të akuzuarve përfundojnë duke u dënuar me shërbim prove, pasi kanë marrë mbrapsht edhe pasurinë e sekuestruar. Për këtë arsye, që nga shkurti i vitit 2020, Moneyval, mekanizimi i Komisionit Europian Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, e përfshiu Shqipërinë në listën “gri”, ku janë vendet me rrezik të lartë të pastrimit të parave.
Paraditen e 9 shkurtit 2021, Policia e Shtetit shpërndau një njoftim me titullin “Finalizohet operacioni policor, i koduar “Transferta e gabuar”, sipas të cilit Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kishte sekuestruar mbi 6 milionë euro pasuri, që kishin si burim veprimtarinë kriminale.
Gjithnjë sipas njoftimit, si pasojë e hetimit të nisur që nga viti 2016 (plot 5 vite), ishin arritur të sekuestroheshin 10 automjete, 3 njësi sipërfaqe toke, 1 apartament, 5 dyqane, 2 bar-restorante dhe disa biznese call center. Vlera e pasurisë, rreth 6 milionë euro, dyshohej se ishte përfituar nga trafiku i narkotikëve.
Pak minuta më pas Prokuroria e Tiranës publikoi një tjetër njoftim më të detajuar, nëpërmjet të cilit rendiste asetet e sekuestruara e “i binte gjoksit” për këtë sukses.
Bëhet fjalë për dosjen penale të Alban Xhepës. Por, pa u mbushur një vit nga buja për sekuestrimin e 6 milionë eurove pasuri, më 26 janar 2022, Prokuroria e Tiranës, madje i njëjti prokuror, pushon hetimet.
Këtë herë as policia e as prokuroria nuk shkroi “dy gisht letër” për të njoftuar që hetimi 6-vjeçar kishte dështuar, duke sfilitur një qytetar të pafajshëm, madje duke i dëmtuar biznesin atij.
Një dosje me tre fashikuj, rreth 1500 faqe fakte, prova, energji dhe lekë të shpenzuara për një hetim të shkuar dëm. Alban Xhepa rimerr pasurinë dhe vazhdon jetën e tij si biznesmen.
Toleranca, që sjell formalizmin e hetimit të pastrimit të parave
INA ka siguruar kopjen e dosjes së Alban Xhepës. Sipas saj, Xhepa është arrestuar nga policia italiane më 30 tetor 2006 me një sasi kokaine dhe marijuane. Është dënuar me 2 vjet, tetë muaj e 20 ditë burg dhe 14 mijë euro gjobë. Pas dënimit, Alban Xhepa, në dëshminë që ka dhënë para prokurorit, pretendon se ka nisur studimet për drejtësi në Itali, por këto studime i ka zhvendosur në një nga universitetet private në Shqipëri, ku është diplomuar në vitin 2009.
Gjithnjë sipas dëshmisë së tij para prokurorit, për një vit (2009-2010), Xhepa ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë si specialist te sektori i ndjekjes së dosjeve të ish-të përndjekurve politikë. Pas dy viteve përvojë si operator në disa kompani call center, në vitin 2015 hap kompaninë e tij me këtë profil. Pak javë më pas janë regjistruar edhe pagesat e para. Në pak muaj (2015) i mbërrijnë nga Arabia Saudite 5 transferta, me rreth 200 mijë dollarë. Më pas, transferta nga Izraeli apo Çekia.
Vetëm në harkun kohor 2015-2016, Xhepa pohon se kontratat i kanë sjellë rreth 800 mijë euro të ardhura. Ai pretendon se e ka nisur aktivitetin me 6 punëtorë, për të mbërritur deri në 60 syresh. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit janë regjistruar disa kompani me administrator Alban Xhepën ose familjarë të tij, por të gjitha kompanitë kishin të njëjtën adresë.
Në këto rrethana Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave nis dyshimet për pastrim parash. Menjëherë kjo Drejtori e Inteligjencës Financiare lajmëron Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe sekuestron llogaritë bankare të kompanive të tij. Në vitin 2016 Prokuroria e Tiranës nis hetimin penal ndaj Alban Xhepës për pastrim të produkteve kriminale.
Për gjashtë vjet prokurori, që heton këtë dosje, mjaftohet vetëm me dy veprime procedurale.
Së pari, urdhëron oficerin e Policisë Gjyqësore të bëjë një seancë pyetjesh me Alban Xhepën dhe disa nga të afërmit e tij, me pyetje shumë bazike e të përgjithshme.
Së dyti, urdhëron Aktin e Ekspertimit Kontabël, për të parë, nëse paratë e ardhura në llogaritë e kompanisë së Alban Xhepës dhe të ardhurat e tjera janë të mjaftueshme për ta justifikuar pasurinë e tij. Nga dosja rezulton që një pjesë e madhe e pasurisë është blerë në vitet 2018-2019, kohë kur ai ka qenë në hetim.
INA ia kaloi këtë dosje një tjetër prokurori, pjesë e “bërthamës”, që heton pastrimin e parave në prokurorinë e kryeqytetit, për të marrë analizën dhe qëndrimin e tij si ekspert mbi hetimin që është kryer.
Sipas prokurorit të kontaktuar nga INA, prokurori që ka hetuar dosjen, edhe pse në planin formal është korrekt me procedurën, ka lënë shumë veprime hetimore pa kryer.
“Organi i hetimit dhe i akuzës nuk i ka hetuar kompanitë e huaja, që kanë bërë pagesat për kompaninë e Alban Xhepës. Në dosje prokurori shkruan që kontratat janë të panënshkruara nga palët. Kontratat nuk kanë formën e plotë, ligjore. Pavarësisht këtyre konstatimeve, ai nuk ka hetuar mbi to”, – thotë prokurori i kontaktuar nga INA.
Sipas tij, informacionin mbi kompanitë, që kanë bashkëpunuar me Alban Xhepën, mund ta merrte më shpejt Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave, e cila është pjesë e sistemit “EGMOND”, sistemi ndërkombëtar i shkëmbimit të informacionit midis Agjencive të Inteligjencës Financiare, edhe pse ky informacion mund të mos kishte vlerën e provës. Sipas prokurorit, organi i akuzës dhe i hetimit nuk ka hetuar, as mbi veprimtarinë e kompanive të Alban Xhepës, nëse këto kompani e kanë kryer shërbimin që pretendojnë, as se cili ka qenë ky shërbim i kontraktuar.
Një ish-drejtues i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, i cili ka qenë i angazhuar me këtë rast, thotë: “Është qesharak fakti që i njëjti prokuror, që sekuestron 6 milionë euro pasuri, pasi ka hetuar 5 vjet, 11 muaj pas sekuestrimit kërkon pushimin e hetimit dhe kthimin e pasurisë te personi i hetuar. Të paktën ta kishte çuar këtë akuzë në gjykatë dhe le ta vendoste gjykata mungesën e faktit penal”.
Institucionet, akuza njëri-tjetrit
Dosja e Alban Xhepës është një nga rreth 1600 rastet e dyshimta, që Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka informuar Policinë dhe Prokurorinë. Por, kjo dosje demonstron modelin e sjelljes së institucioneve ndaj krimit të pastrimit të parave.
Një ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, duke komentuar “firot”, që pësojnë informacionet mbi dyshimet, që ekspertët e pastrimit të parave dërgojnë në prokurori apo polici në raport me rastet e dënimit në gjykatë, e ka një shpjegim. “Nuk habitem nga fakti që dosjet nuk shkojnë në gjykatë. Nga përvoja ime jo e shkurtër në krye të asaj drejtorie kam kuptuar që prokurorët, që hetojnë këtë vepër penale, konvertohen në avokatë të të dyshuarve ose, po e zbus pak, jo avokatë, por këshilltarë të tyre”.
Pas këtij qëndrimi vjen reagimi i njërit prej prokurorëve të Sektorit të Posaçëm për Hetimin e Pastrimit të Parave. Sipas tij, në fakt është Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave që përcjell në prokurori ose polici vetëm “ata që nuk i binden”, duke aluduar se korrupsioni nis te ky institucion.
Zef Preçi, ekspert ekonomik, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike në Shqipëri, rendit dy arsye për këtë sjellje të strukturave, që duhet të zbulojnë, të parandalojnë dhe të dënojnë pastrimin e parave. “E para është klima e përgjithshme, toleruese ndaj aktiviteteve informale dhe kriminale, që vjen nga paqartësia e politikave publike. Ka një tendencë për të fituar qëndrueshmëri në politikat toleruese ndaj paligjshmërive dhe informalitetit”, – thotë Preçi, duke e ilustruar me sjelljen ndaj kanabisit.
Mazhoranca erdhi në pushtet në vitin 2013, duke trumbetuar aksionin e saj anti-kanabis në Lazarat. Mirëpo, pas një viti, në nëntor 2014, Koço Kokëdhima, një nga deputetët më të zëshëm të saj, i afërt me kryeministrin Rama, nisi një fushatë publike për legalizimin e kanabisit. Viti 2016 është regjistruar si viti me sasinë më të madhe të kanabisit në vend në rrugë ilegale; ndërsa në korrik 2023, mazhoranca miratoi në Kuvendin e Shqipërisë Ligjin për Legalizimin e Kanabisit Mjekësor.
“Elementi i dytë ka të bëjë me kapacitetet e limituara dhe harmonizimin e pamjaftueshëm ndërmjet agjencive ligjzbatuese”, – shton Preçi. Sipas tij, kontrolli piramidal ose centralizimi i kontrollit politik mbi të gjitha institucionet e vendit, përfshirë edhe opozitën, ka zbehur fuqinë reaguese të institucioneve kushtetuese, si p.sh., të Gjykatës Kushtetuese dhe të enteve rregullatore, që garantojnë lirinë e tregut.
“Ky fenomen ka krijuar terren për penetrimin thuajse lirisht të parave me origjinë informale dhe kriminale në sektorët e perceptuar si më fitimprurës apo në të cilët mund të fshihet lirisht origjina e parave, siç është ndërtimi, lojërat e fatit apo investimet në bregdet”, – shpjegon Preçi.
Duket se Preçi nuk është i vetmi ekspert që mendon në këtë mënyrë. Me tonalitete të ndryshme, edhe përfaqësues të institucioneve apo strukturave përgjegjëse akuzojnë njëri-tjetrin, duke e larguar fajin nga vetja.
Pavarësisht memorandumeve dhe marrëveshjeve që nënshkruhen vazhdimisht mes strukturave të pastrimit të parave, duket qartë mungesa e koordinimit mes tyre, që nxjerr “në dritë të diellit” hetimet e cekëta dhe mungesën e profesionalizmit të strukturave të hetimit.
Nevoja për të “ngopur” opinionin publik me lajme, për të demonstruar luftën ndaj krimit të organizuar, e kthen të gjithë këtë proces në një spektakël. Pasoja: Shqipëria që prej vitit 2020 është në listën gri të vendeve me rrezik të lartë për shkak të “dobësive strategjike”, që u gjetën në regjimet e parandalimit të pastrimit të parave.
“Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka marrëdhënie të vazhdueshme, institucionale dhe bashkëpunuese me Policinë e Shtetit, Prokurorinë etj., proces që nuk kufizohet vetëm në dërgimin e rasteve nga DPPPP-ja, por edhe në përgjigjen e kërkesave të këtyre organeve, takimeve ndërinstitucionale apo shkëmbimin e të dhënave të tjera sipas nevojës”, – përgjigjet ky institucion pas kërkesës për informacion drejtuar nga INA, nëse DPPPP-ja shkëmben informacion apo zhvillon analiza me policinë apo prokurorinë për ecurinë e informacioneve, që ajo përcjell te këto dy struktura. Pas kësaj përgjigjeje të përgjithshme fshihet fakti se, analizat për ecurinë e rasteve të denoncuara nuk janë realizuar asnjëherë, pohojnë burime nga të dyja institucionet, por që nuk pranojnë ta deklarojnë në mënyrë zyrtare.
Sipas raportit zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2016, veprat penale kundër prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve kanë një rritje prej 38,7%, krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, vetë Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave (DPPP), në një analizë që ka bërë në kuadër të identifikimit të fenomenit me bazë risku, shkruan se të ardhurat nga trafiku i lëndëve narkotike janë burimi kryesor për pastrimin e parave të pista në vendin tonë.
Pavarësisht këtij fenomeni të njohur, të pranuar nga të gjitha palët, shifrat e goditjes së aktivitetit që pason trafiku i drogës, që është pastrimi i parave, tregojnë rënie.
Më poshtë keni numrin e informacioneve që Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave ka dërguar në Polici dhe në Prokurori gjatë 6 viteve, që nga viti 2017. Shifrat janë marrë nga raportet zyrtare të këtij institucioni, të publikuara në faqen e internetit.
Numrin më të madh të informacioneve Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave e ka nisur në polici. Por, sipas informacionit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kjo strukturë ka konsideruar vetëm gjysmën e informacioneve, që ka marrë nga Drejtoria e Pastrimit të Parave. Pra, nga 1490 informacione për dyshime mbi pastrimin e parave, përgjatë viteve 2017-2022, policia vetëm në 763 raste e ka konvertuar informacionin në dosje penale me të dyshuar dhe akuza konkrete.
“Nga verifikimet, që ka bërë Policia e Shtetit me strukturat e saj të terrenit, në shumë raste nuk ka bazë për referimin ose fillimin e një hetimi penal për mungesë provash, faktesh, dokumentesh dhe në përgjithësi sepse mungojnë elementet e veprës penale. Për pasojë, rastet arkivohen nga Policia e Shtetit”. Ky është reagimi i Policisë së Shtetit në vlerësim të informacioneve të Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave, në një përgjigje me shkrim për INA.
Policia pretendon se, përveç dosjeve, që kanë si origjinë informacionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave, ka “prodhuar” edhe vetë dosje si pasojë e punës së saj operative ose bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Në Policinë e Shtetit struktura, që heton pastrimin e parave, ka qenë modeste deri para pak javësh. Sipas përgjigjes së Policisë së Shtetit, aktualisht është një sektor për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale; një seksion në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa në drejtoritë e qarqeve Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Dibër dhe Kukës ka vetëm specialistë për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale.
Prokuroria në aspektin formal i ka kushtuar më shumë vëmendje pastrimit të parave.
Prokurori i Përgjithshëm në korrik të vitit 2020 kërkoi ngritjen e sektorëve kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, krimeve financiare dhe hetimeve pasurore. Në prokuroritë e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Shkodrës, Fierit, Vlorës e Korçës u ngritën sektorë me disa prokurorë, ndërsa në prokuroritë e tjera më së paku një prokuror heton vetëm veprat e mësipërme penale.
Udhëzimi rekomandonte hedhjen çdo ditë të të gjitha informacioneve mbi këto vepra penale në një program të posaçëm online, të quajtur sistemi elektronik e-tracking, PRESTO. Ky program nuk është përdorur asnjëherë.
Në përgjigjen ndaj INA-s në lidhje me këtë çështje, Prokuroria e Përgjithshme shkruan: “Sistemi mbeti i papërfunduar, për shkak se projekti EURALIUS V, që ka mbështetur financimin e këtij sistemi elektronik, ka përfunduar në dhjetor 2021”.
Pavarësisht burimeve, numri i denoncimeve penale për pastrim parash, që mbërrijnë në prokuroritë e vendit, rritet. Për shembull, në vitin 2017 në prokurori kanë mbërritur 459 denoncime, nga të cilat 328 janë përgatitur nga Policia e Shtetit dhe 131, nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave; prej këtyre prokuroria ka konsideruar vetëm 309 raste, për 150 të tjerat nuk ka bërë asnjë veprim hetimor.
Prokuroria në shumicën e rasteve, kur ka vërtetuar akuzën e pastrimit të parave, ka kërkuar pezullimin e dënimit. Nëse kësaj sjelljeje të prokurorisë i shton edhe faktin që në një masë të madhe ka kërkuar dënimin minimal, përmbushet më së miri shprehja “u katandis kokoshi një thelë” ose “u mbars mali e polli një mi”.
Ndërkombëtarët detyruan luftën ndaj pastrimit të parave
Në Kodin Penal të vitit 1995 nuk ekzistonte togfjalëshi “pastrim i parave”. Titulli i nenit 287 ishte “Tjetërsimi i pasurisë” dhe kishte këtë përmbajtje: “Tjetërsimi i pasurisë, transferimi, fshehja, zhdukja e natyrës, e burimit, e përkatësisë së pasurisë së vënë nga krimet dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet”. Që nga ajo kohë ky nen ka ndryshuar më së paku edhe pesë herë.
Në vitin 2003, neni 287 ndryshoi edhe titullin, duke u quajtur “Pastrimi i Produkteve të veprës penale”. Po këtë vit u shtua edhe neni 287/a për çeljen e llogarive anonime. Një vit më vonë, më 16 shtator 2004, ky nen pasurohet edhe një herë, për të ndryshuar sërish në vitin 2007, kur modifikohet neni aktual dhe shtohet edhe neni 287/b, me përvetësimin e parave ose mallrave të vjedhura. Ndryshimin më të madh, neni që lidhet me pastrimin e parave, e ka pasur në vitin 2012. Këto ndryshime, të cilat mazhoranca e kohës gjatë diskutimeve në parlament i ka përcjellë si kërkesa të Moneyval-it, e lehtësuan punën e organeve të hetimit dhe të dënimit.
“Deri në vitin 2012 hetimi për pastrim parash bëhej vetëm pasi personi ishte dënuar për veprën penale, nga e cila rridhnin këto të ardhura ose pasuri; ndërsa pas këtij viti hetimi për pastrim parash mund të niste, edhe nëse vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person, që nuk mund të merret si i pandehur ose që nuk mund të dënohet”, – shpjegon një prokuror i Njësisë së Specializuar për Pastrim Parash. Por, çuditërisht, një vit pas këtyre ndryshimeve, pra në vitin 2013, Prokuroria e Përgjithshme referon një ulje në masën 32% të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2012.
Në vitin 2013 Kuvendi e ndryshon sërish ligjin, duke e ashpërsuar dënimin. Sipas ligjit nr. 144/2013, hiqet dënimi minimal me gjobë. Autorët e pastrimit të parave do të dënohen vetëm me burg, nga 5 deri në 10 vjet. Përveç Kodit Penal, ka edhe një ligj tjetër, të posaçëm për pastrimin e parave, Ligji “Për parandalimin e pastrimit të parave”, i miratuar në maj të vitit 2000, pas kërkesave të ripërsëritura të Këshillit të Europës dhe të Komitetit Moneyval. Pavarësisht se ky ligj parashikonte krijimin e Njësisë së Inteligjencës Financiare, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka nisur nga puna vetëm në muajin gusht të vitit 2005, pra pesë vjet me vonesë. Nga dokumentacioni i analizuar në kuadër të këtij hetimi dhe nga rastet e para, të goditura në këtë veprimtari kriminale, duket se Drejtoria e Pastrimit të Parave ka nisur të funksionojë për shkak të kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.
Ligji për pastrimin e parave parashikon edhe Komitetin e Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave, organizëm që drejtohet nga kryeministri e pjesë e të cilit janë ministri i Financave, ministri i Punëve të Jashtme, ministri i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, drejtori i SHISH-it dhe Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI-së.
Sipas nenit 23 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Komiteti i Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave duhet të mblidhet më së paku një herë në vit. Por, njoftimi i fundit për shtyp nga mbledhja e këtij komiteti është bërë në vitin 2017. INA i drejtoi një kërkesë për informacion Agjencisë Kombëtare të Informacionit, për të saktësuar se kur është hera e fundit, që është mbledhur ky komitet dhe cilat janë arsyet e mos-mbledhjes së tij një herë në vit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori përgjigje./Ina Media
INVESTIGIMI/ Si i shpëtoi “bosi” Alban Xhepa hetimeve për pastrim parash , dyshimet për lëvizjet e prokurorëve dhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave INVESTIGIMI/ Si i shpëtoi “bosi” Alban Xhepa hetimeve për pastrim parash , dyshimet për lëvizjet e prokurorëve dhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave INVESTIGIMI/ Si i shpëtoi “bosi” Alban Xhepa hetimeve për pastrim parash , dyshimet për lëvizjet e prokurorëve dhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave INVESTIGIMI/ Si i shpëtoi “bosi” Alban Xhepa hetimeve për pastrim parash , dyshimet për lëvizjet e prokurorëve dhe Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave