Kanë kaluar 37 vite nga aksidenti në centralin bërthamor të Çernobilit e megjithatë, shkencëtarët vijojnë të hetojnë pasojat shkatërruese që ai pati në shëndetin e atyre që patën fatin e keq të ekspozoheshin nga rrezatimi.

Deri më tani, patologjia neoplazike e tiroides është forma më e zakonshme e kancerit që lidhet me tragjedinë e Çernobilit, por një studim i ri ka zbuluar se kjo gjëndër nuk është e vetmja e prekur.

Ata që janë diagnostikuar me karcinoma papilare e tiroides pas shpërthimit në central janë të rrezikuar nga shfaqja e një tjetër kanceri në organet e tjera, përfshirë këtu edhe gjëndrat e adrenalinës.

Karcinoma papilare e tiroides “buron” nga qelizat folikulare që prodhojnë tiroksinë dhe është kanceri më i zakonshëm i kësaj gjëndre, duke zënë 60-80% të rasteve. Kjo sëmundje ka shkallë të lartë kurimi (95%) nëse lokalizohet vetëm brenda gjëndrës dhe trajtohet menjëherë dhe në mënyrë korrekte.

Tiroidektomia totale dhe terapia ndihmëse me jod radioaktiv, nëse është e nevojshme, janë opsionet për të menaxhuar sëmundjen malinje dhe për të minimizuar përsëritjen.

Megjithëse njerëzit që kanë më shumë gjasa të zhvillojnë një kancer të dytë primar janë ata që janë rritur në atë që tani është Ukraina, Bjellorusia dhe Rusia, studimet tregojnë se smogu që mbuloi shumë vende në Evropë, ndikoi në shëndetin e shumë prej tyre.

Rritja e shkallës së kancerit të tiroides që ndodhi në vitet e mëvonshme i atribuohej, pjesërisht, lëshimit të gazeve radioaktive nga reaktori në atë termocentral të veçantë bërthamor.

Të shqetësuar për mundësinë e shfaqjes së problemeve të tjera shëndetësore, veçanërisht në një zonë lufte, studiues nga universitetet në Zvicër, Angli, Gjermani, Bjellorusi, SHBA dhe Kinë shikuan nëse pacientët me kancer papilar të tiroides janë në rrezik për të zhvilluar një kancer të dytë që nuk ka lidhje me atë origjinal.

Studimi u krye në 30,568 pacientë dhe u zbulua se rreziku ishte i konsiderueshëm.

Konkretisht, pacientët u ndoqën nga 1 janari 1990 deri më 31 dhjetor 2021. Nga gjetjet rezultoi se 9.2% e personave kishin zhvilluar një sëmundje malinje të dytë.

Mosha mesatare e të gjithë pacientëve në kohën e kancerit primar ishte 53.9 vjeç dhe në kohën e kancerit sekondar ishte 61.5 vjeç.

Rezultatet e publikuara në JAMA Netëork Open treguan një rritje të konsiderueshme të rrezikut të tumoreve të dytë të gjirit, zorrës së trashë, rektumit , syrit, organeve gjenitale të brendshme, meningjeve e gjëndrave endokrine.

Kanceri i traktit tretës dhe i gjirit ishte tumori i dytë primar më i zakonshëm tek femrat dhe i sistemit gastrointestinal, gjenitourinar dhe urinar tek meshkujt.

Sipas studiuesve, këto të dhëna mund të kenë ndikim në ndjekjen e pacientëve të diagnostikuar më me karcinomën papilare të tiroides për zbulimin e tumoreve të reja parësore në një fazë të hershme.