Pengmarrje në Tiranë. Një person është marrë peng për disa orë dhe është kërcënuar  nga dy persona që i kanë kërkuar një shumë parash, por të dy autorët janë arrestuar.

“I hoqën lirinë një shtetasi dhe e kanosën atë, për t’u dhënë një shumë parash, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit se një shtetasi i kishin hequr lirinë për disa orë, 2 shtetas të tjerë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u identifikuan dhe u vunë në pranga 2 autorët e dyshuar, shtetasit Ardian Mehmeti, 39 vjeç, dhe Aqif Dervishi, 37 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, në ambientet e një biznesi, i kanë hequr lirinë për disa orë, shtetasit Klejdi Lila, 20 vjeç, dhe e kanë kanosur që t’u jepte atyre, një shumë parash” njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.