Ish-kryeministri Fatos Nano vazhdon prej 10 ditësh trajtimin në spital si pasojë e problemeve me frymëmarrjen.

Sipas burimeve nga spitali privat ku lideri historik i PS-së po kurohet, bëhet me dije se momentalisht gjendja shëndetësore e ish-kryeministrit aktualisht është e mirë. Gjithashtu, njoftohet se i është bërë ndërhyrje lehtësuese për frymëmarrjen.

Ndërkohë që mësohet se rehabilitimi i rij është i ngadalshëm dhe i vështirë. Ndërkohë më herët u raportua se mjekët kanë vendosur që ta heqin nga intubimi dhe ta furnizojnë me oksigjen përmes një tubi që lidhet direkt me trakenë, procedurë që njihet me emrin “Trakeostomi”.

Ish-kryeministri socialist, ishte i intubuar pasi atij i është rikthyer një problem kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike që ngushton dhe dëmton rrugët ajrore të mushkërive.

Të enjten e 24 gushtit 2023, Nano u shoqërua me ambulancë nga shtëpia e tij për në spital pasi kishte pasur probleme me frymëmarrjen. Ish-kryeministri ka pasur probleme me shëndetin edhe dy vjet më parë. Ai vuan nga sëmundja e SPOK, e cila mund të shkaktojë shumë komplikime, duke përfshirë: infeksionet e frymëmarrjes, probleme me zemrën, hipertension dhe depresion.

Çfarë është sëmundja e SPOK

Njerëzit me SPOK kanë më shumë të ngjarë të preken nga gripi. Infeksion i frymëmarrjes mund ta bëjë frymëmarrjen shumë më të vështirë dhe mund të shkaktojë dëme të mëtejshme në indet e mushkërive. Një vaksinim vjetor i gripit dhe vaksinimi i rregullt kundër pneumonisë mund të parandalojë disa infeksione. Nga ana tjetër, për arsye që nuk janë kuptuar plotësisht, SPOK mund të rrisë rrezikun e sëmundjes së zemrës, përfshirë edhe sulmin në të.

Ndërprerja e duhanit mund të zvogëlojë këtë rrezik. SPOK, po ashtu, mund të shkaktojë presion të lartë të gjakut në arteriet që sjellin gjak në mushkëri (hipertension pulmonar) si edhe të rrisë rrezikun për shfaqjen e kancerit të mushkërive. Në dallim nga disa sëmundje, SPOK ka një shkak të qartë dhe një rrugë të qartë parandalimi. Shumica e rasteve lidhen drejtpërdrejt me pirjen e duhanit dhe mënyra më e mirë për të parandaluar këto sëmundje është të mos pini duhan ose të ndaloni pirjen e duhanit.

Vlerësimi nga Rama

Teksa lideri historik i PS-së po kalon ditë të vështira në spital, ai u nderua nga kryeministri Edi Rama me medaljen e mirënjohjes publike. Në reagimin e tij në rrjete sociale për shëndetin e Nanos, Rama shkroi se lutjet dhe mirënjohja e tij, por dhe e të gjithë socialistëve shkojnë për të për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme.

Edhe Berisha i uron shërim të shpejtë

Edhe lideri demokrat Sali Berisha, dikur ish-rival politik i Fatos Nanos, i uroi shërim të shpejtë me zemër ish-kryeministrit socialist që ta kalojë shpejt këtë situatë jo të lehtë, ndërsa shtoi se edhe këtë fatkeqësi po e përdor Rama për qëllimet e veta.

Themeloi “institucioni” e dorëheqjes në Shqipëri

Fatos Nano ka qenë katër herë kryeministër i vendit, i dyti në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar pas Mehmet Shehut. Më konkretisht, në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit 1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën. Nano ka qenë kryetar i PS-së për 13 vjet. Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar “institucionin” e dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.