Shkrumbimi i disa kateve të një pallati të ri në Tiranë, fatmirësisht pa dëme në njerëz, ka nxjerrë në pah një problematikë të sektorit të ndërtimit.
Ekspertët tregojnë se çfarë e shkaktoi zjarrin që u përhap përmes fasadës. Ata shpjegojnë se alukobondi është material laminat dhe krijohet nga bashkimi i shtresave të aluminit, me shtresa plastike.
Në vetvete nuk është i rrezikshëm, por kur kombinohet me materiale të djegshme bëhet i tillë.
“Nuk mund të themi 100% me siguri se çfarë material ka, por duket që është një fasadë me alukobond, dhe ka shumë të ngjarë që pas alukobondit të ketë pasur edhe material tjetër të djegshëm siç mund të jetë polisteroli. Polisteroli është produkt i naftës, naftë e shkumëzuar është, po i vure zjarrin digjet.
Në vendet e Europës këto kombinime janë të ndaluara me ligj, por këtu tek ne duke qenë se nuk ka kontroll nga institucionet përgjegjëse dhe situata mbetet në shijet dhe dijet apo mosdijet e investitorit apo sipërmarrësit që bën fasadën. Ne kemi inspektorin e ndërtimit që rri atje pas qoshes dhe ruan kur bën ndonjëri ndonjë meremetim apo lyerje apo ndërron dritaret, ai të çon në Prokurori dhe të bën namin, kuptohet për të të zhvatur. Kurse për të kontrolluar këto materiale, kontrolli është zero. Kur licencohet një kompani për fasadë, apo kompani ndërtimi, ka një supervisor apo mbikëqyrës teknik, ka një Inspektorat Shtetëror që kontrollon këta, nëse e shkelin. Por ndërtimi sot punon më klering dhe është një nga sektorët më të çorientuar. Europa i ka bërë këto gabime. Në ne vend të mësojmë, po i përsërisim“, u shpreh inxhinieri i ndërtimit Dr. Luan Murtaj për Top Channel.