Një 42-vjeçar shqiptar është vënë në pranga nga autoritetet italiane pasi tentoi të mbyste bashkëshorten pas një debati për motive xhelozie.
Sipas raportimit të mediave italiane, kur kuptoi se nuk po merrte frymë, kërkoi ndihmë.
Gruaja, në gjendje kritike, u shtrua në spitalin San Paolo në Savona dhe është jashtë rrezikut për jetën por nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në një shtëpi në qendër të qytetit, ku efektivët kanë ndërhyrë për të ringjallur gruan që mbeti viktimë e tentativës për mbytje nga burri i saj.
Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët gjetën bashkëshortin e viktimës, një 42-vjeçar me origjinë shqiptare, por banues prej vitesh në qytetin e Torretta-s, i cili tashmë kishte rrëfyer se kishte tentuar të mbyste gruan e tij 31-vjeçare dhe se ndaloi vetëm kur kuptoi se gruaja nuk po merrte më frymë.
Gjithçka ka nisur kur 42-vjeçari shqiptar ka dëgjuar bashkëshorten duke folur në telefon me dikë dhe nën grahmat e xhelozisë, ai ka tentuar ta mbyste me duar. Viktima ka humbur ndjenjat dhe bashkëshorti i frikësuar kishte kërkuar ndërhyrjen e stafit mjekësor, pa marrë parasysh peshën e veprimit të tij.
Gjithë ngjarja ka ndodhur kur fëmijët kanë qenë në shtëpi duke fjetur në dhomën e tyre të gjumit. Burri u transferua më pas në burg dhe do të duhet të përgjigjet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.