Kompania Air Albania, flamuri dhe krenaria e Shqipërisë siç e quan kryeministri, është vendosur në sekuestro për shkak të borxheve të papaguara. Në Qëndrën Kombëtare të Biznesit është depozituar një shkresë ekzekutimi nga zyra përmbarimore Bailiff Services Albania për vendosjen e sekuestros konservative mbi aksionet e Air Albania, me qëllim mostjetërsimin e tyre deri në shlyerjen e borxheve.
Sekuestro mbi kuotat është vendosur për llogari të Sinan Isik, ish numrit 2 të Air Albania. Isik ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Air Albania nga gushti i vitit 2018 deri në fund të vitit të kaluar.
Nuk dihet se sa është shuma e borxheve që Air Albania ka ndaj Isik, por në urdhrin e sekuestrimit të aksioneve thuhet se kompania nuk ka paguar detyrimin edhe pas njoftimit zyrtar.
“Në bazë të nenit 517 të Kodit të Procedurës Civile, kompanisë i është komunikuar njoftimi për ekzekutimin vullnetar. Duke qenë se nga ana e palës debitore nuk është kryer asnjë veprim dhe duke qenë se afati ligjor i ekzekutimit vullnetar ka përfunduar, ekzekutimi i titullit ka kaluar në ekzekutim të detyrueshëm. Në këto kushte urdhërojmë vendosjen e sekuestros konservative mbi aksionet e palës debitore si dhe mbi të drejtat që rrjedhin nga zotërimi i tyre,” thuhet në urdhër.
Një kompani në terr
Gjendja financiare e Air Albania, një kompani ku 10 për qind e aksioneve zotërohen nga shteti shqiptar, mbetet e panjohur për publikun. Bilanci i fundit i publikuar i Air Albania është ai i vitit 2018, ndërkohë që nuk dihet se me çfarë financohet kompania dhe kush janë pasojat financiare, për aksionet publike të mbajtura nga Albcontrol.
Financat e Air Albania u vunë në qendër të debateve publike, pas marrëveshjes së kompanisë me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për charterin personal të kryeministrit. Nuk dihet se sa paguajnë shqiptarët për avionin kryeministror që drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka marrë hua nga Air Albania.
Opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje mes disa çështjeve të tjera të nxehta, por nisma u bllokua nga maxhoranca.
Financat e krenarisë dhe flamurit janë në terr të plotë, veçanërisht me vullnetin e qeverisë. Dhe tani mbi të po bien urdhrat e sekuestrove.