Më 29 nëntor në Prishtinë u vra 30-vjeçarja, Liridona Murseli – Ademaj, ku vrasjen e saj dyshohet se e planifikoi bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Për vdekjen e saj ka pasur reagime të shumta, së fundmi atë e kanë kujtuar edhe kolegët e punës në Suedi.
“Lejas Cafe“, në reagimin e bërë në Facebook shkruan se Liridona ishte një person i dashur dhe ajo e donte shumë jetën familjare.
“Një grua që vlerësonte gjithmonë klientët e saj dhe dëshironte të sigurohej që ata të kishin gjithmonë përvojën më të mirë me ne. Ajo e donte jetën familjare dhe 2 djemtë e saj të mrekullueshëm më shumë se çdo gjë në botë. Liridona nuk ishte thjesht një punonjëse e jona në Lejas Café. Ajo ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte një shoqe shumë e dashur për të gjithë dhe një punonjëse e njohur me klientët. Ajo krijonte lehtësisht lidhje të mira përmes personalitetit të saj dhe këto janë vetëm disa nga cilësitë e mira që zotëronte”, thuhet në reagim.
Ndryshe, lajmi për vrasjen e gruas në Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit Behgjet Pacolli, ka bërë jehonë në mediat suedeze.
Liridona Murseli, rreth 30-vjeçare, u vra të mërkurën mbrëma gjatë një grabitjeje të armatosur, e cila sipas hetimeve të deritnishme ishte e planifikuar nga vetë bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Gjykata Themelore sot vendosi masën e paraburgimit prej 1 muaj për tre të dyshuarit.
Në njoftimin e bërë nga Gjykata thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës.
“Në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, njofton Gjykata.