Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës lidhur me dyshimet për vrasjen e Liridona Ademaj.

Naim Murseli dyshohet për vrasje të rëndë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Granit Plava për vrasje të rëndë.

Kurse i dyshuar i tretë që mori pjesë në krimin e rëndë, dyshohet për për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Murseli tha gjatë seancës së sotme se ai nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe kishte qenë vetë i rrezikuar.

“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”, thuhet se ka rrëfyer i dyshuari sipas vendimit të gjykatës.

Avokati Ahmet Ahmeti kishte thënë se Naim Murseli nuk e ka kryer veprën penale në vend, kohë dhe mënyrë siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë dhe nuk është i përfshirë në vrasje.

“I mbrojturi im nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsye të përsërisë veprën penale se nuk e ka bë”, ka thënë avokati Ahmeti.

Në bazë të kësaj Ahmeti kishte kërkuar nga gjykata që kërkesën për caktimin e paraburgimit të mos e aprovojë, apo të caktojë një masë alternative.

Vendimi për caktimin e paraburgimit është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Sulltane Hoti.