KRIMINALE/ Si e rrënuan familjen Dylgjeri ProCredit Bank dhe Micro Credit Albania përmet mashtrimit
Pas disa vitesh emigracion në shtetin grek, në vitin 2010 bashkëshortët Ilir Dylgjeri dhe Eriselda Rista vendosën të kthehen në Atdhe. Familja kishte në plan të hapte një biznes për të nisur jetën nga e para në vendin e tyre.
Disa muaj pas kthimit ata vendosën të marrin një kredi konsumatore në shumën 700 mijë lekë pranë ProCredit Bank për blerjen e një automjeti. Pasi paguan rregullisht për gati një vit këstet përkatëse të kredisë, dy bashkëshortët dolën në vonesë.
Ishte koha kur ekonomia shqiptare u prek nga kriza globale financiare, e cila përveçse e zhyti ekonominë shqiptare në një stanjacion të gjatë, çoi në rritjen dramatike të kredive të këqija, deri në 28 për qind e totalit.
Për shkak të mosshlyerjes së kredisë, ProCredit iu drejtua gjykatës duke kërkuar urdhër ekzekutimin e borxhit. Në fund të vitit 2011, me vendimin nr. 7941, Gjykata Tiranës lëshoi urdhrin e ekzekutimit për detyrimin që sipas arsyetimit të vendimit dhe të dhënave të kreditorit mbante vlerën 735 mijë lekë ose rreth pak më shumë se 7 mijë euro me kursin e sotëm.
Deri këtu gjithçka është në përputhje me ligjin. Fundja çdo borxh i marrë duhet kthyer, në të kundërtën sistemi financiar nuk do të mund të ekzistonte. Por veprimtaria kriminale nis pas vendimit të gjykatës. Fillimisht nga vetë ProCredit dhe më pas nga Micro Credit Albania.
Rasti i çiftit Dylgjeri-Rista, së bashku me ato të qindra familjeve të tjera, janë dokumentuar të gjitha nga një hetim voluminoz i ministrisë së Drejtësisë për mashtrimin me mikrokreditë. Kapitali.al publikon të plotë kapitullin kushtuar këtij rasti, që përbën një nga mashtrimet më flagrante përmes shtrëngimit dhe shantazhit.
Dosja hetimore e ministrise se Drejtesise
Merimanga e krimit
Edhe pse gjykata kishte nxjerrë urdhër ekzekutimi në shumën 753 mijë lekë, ProCredit iu ngarkoi dy bashkëshortëve një shumë detyrimi mbi 30 për qind më të rëndë.
Në mars të vitit 2012 ProCredit Bank kontrakton studion përmbarimore “Shkrela” sh.p.k., për të ekzekutuar vendimin e gjykatës. Por në titullin ekzekutiv ishte përcaktuar në mënyrë të detajuar një detyrim prej 692 mijë lekë principal, 230. 5 mijë lekë interesa dhe 85. 2 mijë lekë gjoba. Mbi këto, studio përmbarimorë shton dhe 6600 lekë tarifë përmbarimi.
Pra, në total, plot 1 milionë e 66 mijë lekë ose rreth 280 mijë lekë më shumë se urdhri i gjykatës. Si mundet një bankë të ngarkojë një detyrim 30 për qind më të rëndë se sa urdhri i gjykatës? Megjithatë ky ishte vetëm krimi i parë dhe ai më i lehtë që ju bë dy bashkëshortëve. Më e keqja duhet të vinte kur në skenë hynë shushunjat e mikrokredive.
Borxh mbi borxh
Në dhjetor të vitit 2012 përmbaruesi privat urdhëron punëdhënësin e debitores Eriselda Rista për vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi pagën e debitores.
Nga muaji janar 2013 deri në muajin janar 2014, zonjës Rista iu mbajtën çdo muaj 12 mijë lekë nga paga, shumë e cila ka kaluar rregullisht nga llogaria e përmbaruesit tek llogaria e kreditorit ProCredit Bank. Në total 156 mijë lekë, gjithmonë të reja.
Në vitin 2015, ProCredit vendosi të transferojë dosjen tek një tjetër përmbarues. Pasi është kryer transferimi i çështjes përmbarimore, në gusht të vitit 2015, ProCredit vendos të shesë një paketë të madhe me mbi 10 mijë kredi të këqija tek institucioni financiar jo-bankë Micro Credit Albania (MCA). Brenda portofolit të shitur ishte dhe kredia e bashkëshortëve Ilir Vlash Dylgjeri dhe Eriselda Ligor Rista. Tani e keqja mbërriti.
Shushunja MCA
Menjëherë pas blerjes Micro Credit Albania e transferoi dosjen e kredisë së dy bashkëshortëve tek shoqëria përmbaruese STAR. Ky ishte përmbaruesi i tretë dhe secili prej tyre shtonte nga 6600 lekë tarifë përmbarimi. Megjithatë ky ishte halli më i vogël.
Përmbaruesja Jordisa Dervishi e “Shërbimi Përmbarimor STAR”, ka rifilluar ekzekutimi ndaj debitorëve, duke sekuestruar pagat e dy bashkëshortëve, mjetet motorike dhe llogaritë bankare që ata dispononin. Me bllokimin e të dy pagave, familjes iu vu laku në fyt duke e lënë pa asnjë të ardhur, as për mbijetesë. Ky ishte fillimi i skemës grabtiqare.
Pas sekuestrimit të dy pagave në punën e zotit Dylgjeri shfaqet një përmbarues nga STAR duke bërë presion mbi situatën dhe duke shantazhuar familjen se do të kishin penalitete nga viti 2015 e tutje nëse nuk bënim diçka.
“Ai propozoi një zgjidhje duke i sqaruar bashkëshortit se mund të na financonin nëpërmjet “MICRO CREDIT ALBANIA” sh.p.k. pjesë e “STAR” sh.p.k, që ne kishim dosjen dhe të na fuste në sistem pagese normale njësoj siç dhe e kishim pasur marrëveshjen në fillim fare me bankën “ProCredit” me këste që do e vendosnim ne se sa mundeshim të paguanim dhe duke përfituar kështu çdo heqje mase sekuestro,” thotë Risa në dëshminë e saj para grupit të hetuesve të ministrisë së Drejtësisë.
Pjese nga deshmia e Eriselda Rista
Fillimisht STAR dhe Micro Credit Albania e detyrojnë familjen të marrë një kredi të re 572 mijë lekë. Por këto para familja nuk i pa asnjëherë, pasi e gjitha shuma shkoi në llogari të zyrës përmbaruese STAR.
“Na propozuan një skemë të tillë që; gjysmën e shumës së kredisë që kishim, pra 500 mijë lekë do ta ngrijmë për një vit që mos të rriteshin si detyrime apo penalitete dhe pjesën tjetër të financoheshim prej tyre për të likuiduar zyrën përmbarimore “STAR” në shumën prej 572 mijë lekë dhe ndërkohë të paguanim “Micro Credit Albania” këste mujore 15 000 lekë këste që ia propozuam vetë sipas mundësisë që e shihnim të realizueshme,” vijon Rista.
Skema e ngarkimit të kredisë ishte e tillë. Një person nga Micro Credit Albania shoqëronte njërin prej familjarëve në BKT. Personi i jepte sportelistët se bankës një çek të lëshuar nga MCA në emër të bashkëshortit dhe pasi sportelistja e thyente çekun, paratë depozitoheshin menjëherë në llogarinë e zyrës përmbarimore STAR. Kjo kredi e lidhur në vitin 2016, ishte vetëm e para.
Një herë, dy herë, tre herë
Në janar të vitit 2017, Micro Credit Albania ja bllokon sërish llogaritë çiftit të bashkëshortëve. Sërish propozohet e njëjta skemë. Këtë herë kredia prej 360 mijë lekësh e thyer me çek në BKT kalon në llogarinë e vet Micro Credit Albania. Zoti Dylgjeri vetëm sa firmoste dokumentat, por paratë nuk i merrte asnjëherë. Atij vetëm sa i shtohej detyrimi.
“Nuk ka dy pa tre” – thonë italianët. Kështu ndodhi dhe me çiftin e bashkëshortëve. Pas dy kredive të para, familja u detyrua të merrte dhe një të tretë, këtë herë në masën 786 mijë lekë. Varianti ishte gjithmonë ai i çekut të lëshuar nga Micro Credit Albania në emër të familjarëve, por që pasi thyhej në sportelin e BKT kalonte direkt ose në llogarinë e STAR ose në atë të vetë MCA-së, ndërsa familjarët nuk preknin lekë asnjëherë, vetëm sa u shtoheshin detyrimet.
Si përfundim, pasi morën fizikisht një kredi prej vetëm 700 mijë lekësh në bankën ProCredit në vitin 2010, dy bashkëshortët përfunduan përmes mashtrimit dhe shantazhit nga Micro Credit Albania me një detyrim prej 2 milionë e 30 mijë lekë ose rreth 20 mijë euro. Pra tre herë më shumë.
“Kjo kontratë e fundit ishte shkatërrimi jonë. Shkojmë si njerëz tashmë me lakun në fyt e të implikuar në kredinë e zezë tonën,” përfundon Rista dëshminë e saj para grupit të punës të ngritura nga ministria e drejtësisë.
Por ky është vetëm një nga qindra rastet e administruara në dosjen hetimore të ministrisë së Drejtësisë prej 3 vjetësh.
Mbi këtë hetim ministria e Drejtësisë hoqi liçencat e disa zyrave përmbarimore dhe kallëzoi penalisht të gjithë rrjetin e personave që qëndronin pas Micro Credit Albania dhe STAR.
Por kur kanë kaluar gati 4 vjet, as prokuroria dhe as Banka e Shqipërisë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim. Micro Credit Albania vazhdon të bëjë biznes, tashmë duke tjetërsuar pronat e mijëra familjeve për detyrime të vogla konsumatore. Dhe i gjithë shteti është zhytur në kënetën e qelbur dixhitale të mikrokredive mashtruese sepse institucioneve u ka zënë hundën rryshfeti. ProCredit Dylgjeri Micro Credit ProCredit Dylgjeri Micro Credit ProCredit Dylgjeri Micro Credit ProCredit Dylgjeri Micro Credit