Autori i sulmit të Fakultetin e Filozofisë në Pragë dyshohet të jetë 24-vjeçari David Kozak. Policia ka zbuluar se babai i vrasësit, një burrë 55 vjeç, është gjetur i vdekur sot në mëngjes në një fshat të Bohemisë qendrore. Policia dyshon se ai është vrarë nga djali i tij, autori i masakrës.
Sipas asaj që raporton shefi i policisë së Pragës, Martin Vondrasek, studenti është frymëzuar për masakrën nga ato që kanë ndodhur jashtë vendit. Nga pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, ai duket që hyn në universitet me një armë të rëndë dhe i veshur i gjithi në të zeza dhe veproi me fytyrën zbuluar.
Mediat në vend raportojnë se i riu e kishte paralajmëruar sulmin në një postim në Telegram.
“Dua të sulmoj shkollën dhe me shumë mundësi të vras dhe veten. Alina Afanaskina më ndihmoi. Unë gjithnjë kam pasur dëshirë të kryej vrasje, kam menduar madje se mund të bëhem maniak në të ardhmen. Është më e leverdishme të bësh një sulm masiv…U ula, prita dhe ëndërrova.”
Kjo është përmbajtja e postimit që raportohet të ketë bërë Kozak përpara sulmit.
Alina, që ai përmend në postim është sulmuesja 14-vjeçare që më 7 dhjetor të këtij viti hapi zjarr në një shkollë Bryansk, të Rusisë ku dy studentë mbetën të vrarë dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur.
Si pasojë e sulmit, të paktën 15 persona humbën jetën dhe 30 të tjerë mbetën të plagosur. Nëntë prej tyre në gjendje të rëndë. Mes viktimave është edhe vetë autori që dyshohet që ta ketë kthyer armën nga vetja në momentin që në vendin e ngjarjes arriti policia.
Në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit, disa studentë kanë dalë nga dritaret dhe janë “strehuar” nëpër parvaze, disa të tjerë janë mbyllur nëpër klasa. Po ashtu raportohet se në tentativa për të shpëtuar, një nga studentet u rrëzua nga lartësia dhe humbi jetën.
Ngjarja e sotme konsiderohet më e rënda në historinë e Çekisë, që prej shpalljes së pavarësisë 30 vite më parë.
Sulmi më i fundit me armë në Çeki kishte ndodhur në një spital në Dhjetor të vitit 2019, ku një burrë i armatosur vrau 6 persona dhe më pas veten.