Në bashkëbisedimin me gazetarët në selinë e Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha komentoi sërish procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij, ku ditën e nesërme pritet dhe një vendimmarrje e GJKKO-së për masën e arrestit ndaj tij të kërkuar nga SPAK, si pjesë e të hetuarve për procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Berisha u pyet nga gazetarët nëse ka krahasim rasti i hetimit të tij me atë të burgosjes së ish-kryeministrit Fatos Nano. Berisha u shpreh se dy rastet nuk kanë të krahasuar pasi sipas tij Nano u dënua për vjedhjen e 10 milionë ndimave humanitare.
“Krahasimi me të pakrahasueshmen nuk shërben dhe është fatkeq! Fatos Nano është arrestuar për një abuzim, i cili sipas përllogaritjeve të qeverisë së PS, konkretisht të ish-Ministrit të Tregtisë së Jashtme, Shane Korbecit dhe të ministrave të tjerë që nuk kishin firmosur, por u ishte falsifikuar firma në qeveri (njëri prej tyre, Qemal Disha), ishin zhdukur 10 milionë ndihmë humanitare për shqiptarët e uritur. Pa nam dhe nishan!
Dhe kjo dosje u përgatit dhe u paraqit edhe në parlament me elementë kryesorë nga Korbeci. E vërteta është se edhe Qemal Disha, në atë kohë ministër Financash, kishte refuzuar të firmoste. Kështu që Fatos Nano nuk ka pasur asnjë akuzë të vetme nga qeveria e PD-së, se ajo ishte gjithçka gati. Kjo është e vërteta. Fatos Nano është thirrur dhe është pyetur, sikundër janë në dosje akuzat e ministrave të tij.
Të krahasosh 10 milionë euro ndihma bujare të Qeverisë Italiane të zhdukura, me 410 metër katrorë tokë të trashëguar të vetën të Jamarbër Malltezit pastaj, krahason dy gjëra më të pakrahasueshme.
Në të gjithë procesin e dosjes së ndihmave italiane, ishte firma e Fatos Nanos.
Në procesin e privatizimit të klubit Partizani, në kuptimin e njohjes, kthimit, parablerjes së objekteve, nuk ekziston asnjë firmë e vetme e Sali Berishës! Në të gjithë këtë proces nuk ekziston një zyrtar i vetëm i penalizuar se ka shkelur ligjin, i akuzuar se ka shkelur ligjin dhe janë këta 30, 50 më shumë të të dy anëve, të PS kur kanë qenë në pushtet dhe të PD. Asnjë zyrtar! Ekzistojnë të gjitha turpet dhe pafytyrësirat të ish-xhelatit të policisë sekrete të Enver Hoxhës dhe asaj prokurores me lidhje obskure me Taulant Ballën. Së fundmi, mori edhe një autorësi edhe Dumani i partisë, i cili dëshmoi se për atë jo Kushtetuta, por statuti i partisë është ligji themelor i shtetit. Ndaj dhe janë gjëra të pakrahasueshme”, tha Berisha.