Ulsi Manja si Ilir Beqaj , zinxhir kompanish të fshehura pas të besuarve të tij ?

Një zinxhir kompanish e transaksionesh mes drejtuesve kryesorë të burgjeve, apo familjarëve të tyre, njerëz të besuar të Ulsi Manjës, ngrenë dyshime se pronari faktik i këtyre kompanive është vetë ministri i Drejtësisë.

Për të shmangur konfliktin e hapur të interesit, të dhënat e siguruara nga Voxnews.al sugjerojnë se ministri Ulsi Manja ka përdorur ndër vite njerëzit e besuar të tij, kryesisht nga qarku i Dibrës për të regjistruar kompani me veprimtari në fushën e minierave dhe të hidrocentraleve.

Pas dy kompanive Primo Security Solutions dhe General Green Energy, ku themelues dhe aksionerë dalin drejtuesit më të lartë të sistemit të burgjeve, të afërmit e tyre dhe shtetasi Flamur Ndreka, shoferi i Ulsi Manjës, Voxnews.al ka siguruar të dhëna edhe për të paktën dy kompani të tjera me aksionerë njerëz të ministrit të Drejtësisë.

Kompanitë janë Hidro Zone Energy dhe Hidro One Energy, çuditërisht të regjistruara në QKB që të dyja në të njëjtën ditë, më 20 nëntor të 2018 dhe me të njëjtët aksionerë.

Sipas ekstraktit historik të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Hidro Zone Energy është themeluar nga Flamur Ndreka, shoferi i Ulsi Manjës, Rezarta Rajta, bashkëshortja e drejtorit të policisë së burgjeve, Paulin Rajta, Musa Selami, njeri me lidhje miqësore me Ulsi Manjën dhe Ylber Çupi, biznesmeni që në Voxnews.al solli në investigimin e parë si njeriu që mori aksionet e Blerta Abrijas, bashkëshortja e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abrija nga kompania Primo Security Solutions.

Ulsi Manja si Ilir Beqaj , zinxhir kompanish të fshehura pas të besuarve të tij ?
Ulsi Manja si Ilir Beqaj , zinxhir kompanish të fshehura pas të besuarve të tij ?

Të njëjtët persona dalin themelues dhe aksionerë edhe në kompaninë Hidro One Energy. Kompanitë rezultojnë të themeluara në një kohë që Qeveria nisi një politikë agresive me mbështetje financiare drejt energjisë së gjelbërt, por edhe në një kohë që të paktën dy hetime të prokurorisë ngritën dyshime se në këtë sektor po lulëzonte një skemë mashtrimi me rimbursimin e TVSh-së me kosto prej miliona eurosh për buxhetin e shtetit.

Njëra prej kompanive, General Green Energy, ku ndër themeluesit rezulton edhe shoferi i Ulsi Manjës, është denoncuar në vitin 2019-të se përmes falsifikimit të dokumentacioneve kërkoi të marrë leje për ndërtimin e një hidrocentrali në Dohoshisht, që rastësisht është vendlindja e Ulsi Manjës.

Bizneset e fshehura të Ulsi Manjës?! Vartësit e tij në

Nuk ka asnjë të dhënë nëse kompanitë e themeluara dhe me ortakë vartës e të afërm të vartësve të Ulsi Manjës kanë qenë pjesë e këtyre skemave. Por, ajo që dihet është se Flamur Ndreka, shoferi i ministrit të Drejtësisë, më 14 mars 2019, vetëm katër muaj pas themelimit të kompanisë Hidro Zone Energy ja dhuron aksionet Ylber Çupit, të njëjtit biznesmen që më herët mori aksionet e Primo Security Solutions nga Blerta Abrija, bashkëshortja e Admir Abrijas.

Bizneset e fshehura të Ulsi Manjës?! Vartësit e tij në

Të dhënat sugjerojnë se e gjithë lidhja në biznes mes vartësve të Ulsi Manjës, për më tepër në një kohë që ky i fundit nuk ka pasur pushtetin e ministrit, nuk është thjesht rastësi, por një skemë për t’i shpëtur ligjit të konfliktit të interesit nga ana e ministrit të Drejtësisë.

Të njëjtat të dhëna ngrenë dyshime se si shpërblim për besnikërinë e treguar duke maskuar bizneset e Ulsi Manjës, ky i fundit i mori me vete në Ministrinë e Drejtësisë, madje duke i promovuar në sektorë kyç të saj, siç është sektori i burgjeve dhe ai i shërbimit të provës. /voxnews.al