Detaje të reja nga hetimet  për vdekjen e 34-vjeçares në Kosovë, Artila Kamberi, e cila vdiq të enjten pasi dyshohet se kërceu nga tarraca e katit të dytë në hotelin ‘Venus’.

Për rastin tashmë janë intervistuar edhe disa dëshmitarë, në mesin e të cilëve edhe 32-vjeçari që po qëndronte me të ndjerën.

Prokurori i Shtetit, Armend Hamiti, në një prononcim për Sinjalin ka bërë të ditur se nuk ka të arrestuar dhe deri tani nuk ka persona që janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.

Hamiti tha se rasti po hetohet si “Hetim i vdekjes/ Vetëvrasje” dhe në bazë të rezultateve, do të zbulohen edhe rrethanat e tjera të rastit.

“Rasti është duke u trajtuar me dyshimet si Hetim i vdekjes/vetëvrasje. Nuk ka persona të arrestuar. S’ka persona të dyshuar lidhur me rastin. Jemi në fazë të hetimeve. Jemi t’u këqyrë, tash po i pres rezultatet, ekspertizat, se a ka najsen tjetër,” tha ai.

Në kuadër të hetimit të rastit, është marrë deklarata e Asdren Begollit, 32-vjeçar nga Peja, i cili ishte bashkë me viktimën në momentin kritik, si dhe dëshmitë e dy personave të tjerë.

E ndjera ishte e ve, pasi disa vite më parë edhe bashkëshorti i saj, Arlindi, kishte humbur jetën tragjikisht, duke bërë vetëvrasje.

Por si ndodhi ngjarja tragjike?

Rreth orës 03:30 tashmë e ndjera, Artila Kameri dhe Asdren Begolli, dyshohet të jenë përfshirë në një konflikt verbal me njëri-tjetrin.

Si rrjedhojë, 34-vjeçarja dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e hotelit dhe si pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore që rezultuan të jenë fatale për të.

Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale kanë konstatuar vdekjen e saj.

Lidhur me rastin Policia konfirmon se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsinë.

Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë  ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha zëdhënësja, Flora Ahmeti.