Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Korçës, ku nënë e bijë janë gjetur pa shenja jete nëbanesën e tyre.
Policia thotë se E. V., 75 vjeçe dhe vajza e saj O. V., 54 vjeçe nuk i ishin përgjigjur në telefon prej disa ditësh të afërmve të tyre, çka ka bërë që ata të shqetësohen dhe të kontaktojnë policinë.
Uniformat blu kanë hapur derën e banesës, e cila ishte e mbyllur nga brenda dhe kanë bërë zbulimin tragjik. Paraprakisht, dyshohet se vdekjet kanë ndodhur për shkaqe natyrale.
Nga informacionet paraprake bëjnë me dije dije se nëna Eleni Vangjeli ka qenë e sëmurë, dhe dyshohet se vajza Ornela, ka ndërruar jetë para saj, e më pas ka ndërruar jetë edhe nëna.
“Më datë 01.02.2024, rreth orës 16:42, në lagjen nr. 17, Korçë, në banesë, janë gjetur pa jetë, pa shenja dhune shtetaset E. V., 75 vjeçe dhe vajza e saj O. V., 54 vjeçe. Nga të dhënat e para, rezulton se këto shtetase nuk ju ishin përgjigjur në telefon familjarëve të tyre, prej disa ditësh.
Dera e banesës së tyre është hapur nga shërbimet e zjarrfikësve, pasi ishte e kyçur nga brenda. Paraprakisht dyshohet se këto dy shtetase mund të kenë humbur jetë për shkaqe natyrale”, bën me dije policia e Korçës.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të humbjes së jetës së këtyre shtetaseve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.